Konfederata e Industrive të Shqipërisë (Konfindustria) ka reaguar ashpër lidhur me bllokimin prej pesë ditësh të aksit rrugor që lidh Librazhd me Përrenjas, duke e cilësuar situatën si një nga goditjet më të rënda për ekonominë dhe sigurinë kombëtare.
Sipas Konfindustrisë, ndërprerja e këtij segmenti strategjik rrezikon të shkaktojë pasoja të menjëhershme dhe afatgjata për ekonominë kombëtare, bizneset, industritë dhe prodhimin vendas. Organizata kërkon që Qeveria dhe Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) të ndërmarrin masa të jashtëzakonshme dhe të menjëhershme për zgjidhjen e situatës. Në reagim theksohet se, nëse gjendja nuk zgjidhet shpejt, rrezikohen humbje të mëdha financiare, rritje kostosh për bizneset dhe pasoja të rënda deri në falimentime të mundshme.
Konfindustria paralajmëron gjithashtu se qytetarët mund të detyrohen të drejtohen drejt vendeve fqinje për furnizime me ushqime dhe karburant, si Maqedonia e Veriut dhe Greqia. Më tej, organizata nënvizon se goditja ekonomike dhe financiare bëhet edhe më e rëndë në planin afatgjatë, pasi rrezikohet vetë pozicioni i Shqipërisë si një vend tranzit i besueshëm për lëvizjen e mallrave dhe njerëzve në korridorin Lindje–Perëndim.
Njoftim për shtyp
Konfindustria vlerëson, se shkatërrimi dhe mbyllja e rrugës kombëtare me Korçën, që përkon me gjurmën e Korridorit 8 si dhe problematikat e rënda në akset ndihmëse rrugore, tunele dhe ura, duke lënë pothuaj të shkëputur Juglindjen e vendit, është goditja më e rëndë në kohë paqe për ekonominë si dhe sigurinë kombëtare.
Konfindustria kërkon, që duke vlerësuar sa më sipër, Qeveria dhe SPAK duhet të ndërmarrin masa të jashtëzakonshme dhe sa më të shpejta në kohë.
Ekonomia kombëtare, bizneset, industritë dhe prodhimi vendor, në rast të moszgjidhjes së shpejtë të gjëndjes, rrezikojnë humbje të mëdha financiare, rritje kostosh me pasoja të rënda deri në falimentim. Qytetarët do të drejtohen për furnizime me ushqime dhe karburant në shtetet fqinje si Maqedonia e Veriut dhe Greqi.
Goditja ekonomike- financiare është me pasoja edhe më të rënda, nëse vlerësohet, se rrezikohet në afatgjatë vetë pozicioni i Shqipërisë si vend tranzit i besueshëm për lëvizjen e mallrave dhe njerëzve Lindje-Perëndim.
Sa më sipër zhvleftëson ndjeshëm pozicionin gjeostrategjik, si një prej pasurive më të mëdha të Shqipërisë, në favor të konkurentëve tregëtarë rajonalë me në krye Greqinë, përfshirë edhe detyrimet ndaj NATO-s.
Gjergj Buxhuku
Administrator i Përgjithshëm
