Ndërkohë që Autoriteti Rrugor Shqiptar u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve të përdorin aksin Lozhan–Moglicë–Gramsh si rrugë alternative, ky segment paraqitet me dëmtime të shumta në trupin e rrugës, duke e bërë qarkullimin të vështirë dhe problematik.
Kjo thirrje vjen pasi ARRSH njoftoi bllokimin e qarkullimit në aksin Librazhd–Pogradec, në vendin e quajtur Arrat e Gurrës, për arsye sigurie.
Megjithatë, drejtuesit e mjeteve që orientohen drejt itinerarit alternativ përballen me një tjetër problematikë, pasi edhe ky aks rrugor ka nevojë për ndërhyrje dhe përmirësim të menjëhershëm.
Aksi kombëtar Librazhd-Hotolisht aktualisht mirëmbahet nga kompania “ANK sh.p.k.”, firmë e cila po kryen edhe punimet për zgjatimin e këtij aksi, pjesë e Korridorit të Tetë. Deri para shembjes masive kjo rrugë mirëmbahej nga kompania “2T”.
