Edvin Kulluri, ka reaguar ashpër ndaj bllokimit të godinës ku operon News24, Gazeta Panorama, Gazeta Shqiptare dhe BalkanWeb, duke e cilësuar ndërhyrjen e Policisë së Shtetit si një akt politik të motivuar.

Sipas tij, arsyeja e dhënë për këtë veprim është instalimi i një kompanie shtetërore për prodhimin e armëve pikërisht në ambientet që Media Group i ka marrë me qira nga shteti. Kulluri vë në dukje se Ministria e Ekonomisë dhe ajo e Mbrojtjes kanë në pronësi qindra prona të tjera të përshtatshme për këtë aktivitet, përfshirë ish-Kinostudion apo reparte ushtarake rreth Tiranës, por zgjedhja është bërë qëllimisht mbi selinë e medias.

“Për të njëjtin biznesmen, pronar të këtij grupi mediatik, herën e parë u shemb një pjesë e resortit në Qerret nga IMT për shkelje ndërtimore. Tani, ‘pikerisht’ në ambientet e medias së tij vendoset sërish shiriti ‘mos kalo’”, tha Kulluri, duke e konsideruar këtë si një model të përsëritur presioni.

Ai e krahasoi situatën me vitin 1996, kur, sipas tij, qeverisja e atëhershme tradhtoi idealet e dhjetorit ’90, duke përdorur policinë dhe shërbimet e fshehta për të shtypur lirinë e fjalës.

“Shteti nuk është pistolete në duart e Kryeministrit. Rama duhet të mbajë dorën, sa nuk është vonë për të dhe për Shqipërinë. Nuk ja kemi borxh që sa herë çmenden kryeministrat apo presidentët, Shqipëria të shndërrohet në shesh lufte mes shoqërisë së lirë dhe qeverisë,” përfundoi Kulluri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb