Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike, Gjin Gjoni, ka reaguar ashpër pas rrethimit të godinës së News24 dhe ndërprerjes së punës së gazetarëve, si pasojë e moslejimit të hyrjes në ambientet e punës dhe ndërprerjes së energjisë elektrike.

“Sot, Policia ka rrethuar godinën e News24, ka ndërprerë me forcë dhe pa asnjë paralajmërim sinjalin e transmetimit, duke penguar gazetarët të hyjnë në vendin e tyre të punës. Qytetarët janë privuar nga një prej zërave më të mëdhenj dhe më të besueshëm të informacionit në vend,” tha Gjoni.

Ai e cilësoi këtë si një akt të rëndë kundër të drejtës kushtetuese për informim dhe një sulm frontal ndaj lirisë së shtypit. Sipas tij, kjo ngjarje është një precedent i rrezikshëm që synon të shuajë zërat kritikë dhe të vendosë kontroll total mbi informacionin publik.

“Nuk jemi më në kushtet e funksionimit të shtetit ligjor. Vendi po rrëshqet çdo ditë në një diktaturë të re, një narkodiktaturë. Pas mbylljes së Agon Channel dhe konfiskimit të Ora News, tani ka ardhur radha e News24,” theksoi deputeti.

Gjoni shprehu zhgënjimin për heshtjen e përfaqësuesve ndërkombëtarë përballë një ngjarjeje që, sipas tij, prek në themel demokracinë në një vend anëtar të NATO-s dhe kandidat për në BE. Ai u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë në krah të gazetarëve dhe punonjësve të News24 në mbrojtje të së drejtës për informim.

“Bëj thirrje të ndalohet ky veprim i dhunshëm dhe të rikthehet menjëherë transmetimi i News24. Çdo minutë heshtjeje e imponuar ndaj medias është një plagë e hapur për demokracinë,” përfundoi Gjoni.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb