Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, kryeministri i vendit Edi Rama foli gjerë e gjatë për nisjen tashmë nga puna të hartimit të një pakete të re ndryshimesh ligjore që do të jenë pjesë e Kodit Penal.

Që nga siguria ushqimore, bllokimi i lëvizjes së lirë në rrugë e deri tek dhuna ndaj mjekëve, kryeministri Rama tha se do të ketë ashpërsim të dënimeve.

Ndërsa sot pritet që opozita të protestojë sërish, duke bllokuar rrugët Rama e paralajmëroi kryeopozitarin Basha, kur tha se një gjë e tillë do të dënohet kur kjo paketë e re të hyjë në fuqi.
“S’mund ta pranojmë si normalitet bllokimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe për më tepër organizimin e bllokimit të qarkullimit në mënyrë të qëllimtë”,- tha Rama.

Rama tha ndër të tjera se paketa e re do të ashpërsojë dënimet për mbajtjen e armëve.

Po ashtu, ai u shpreh se, “Neglizhenca në trajtimin mjekësor, kur rrezikon jetën e personit, s’mund të kalojë sikur s’ka ndodhur asgjë, kur shkakton vdekjen e personit nuk mund të mos i përgjigjet domosdoshmërisë për të bërë përgjegjës autorët”.

Po ashtu kryeministri foli edhe për të Drejtën e Autorit që s’mund të jetë më një e drejtë e pambrojtur që shkelet sipas qejfit për përfitime financiare. I fortë paralajmërimi ishte edhe për prodhuesit dhe tregtarët në lidhje me sigurinë ushqimore.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb