Një automjet tip foristradë, me tre persona brenda, ka mbetur i bllokuar mes dëborës në aksin rrugor Kukur – Rovje, në zonën malore të Gramshit.

Trashësia e dëborës në këtë segment arrin mbi 60 centimetra, duke e bërë rrugën të pakalueshme.

Personat e bllokuar janë banorë të zonës, të cilët po ktheheshin nga puna e përditshme në fshatin Kukur drejt banesave të tyre në fshatin Rovje. Reshjet e dendura të borës kanë nisur që në orët e para të mëngjesit dhe vijojnë ende me intensitet të lartë.

Banorët e mbetur në rrugë kanë apeluar për ndihmë, ndërsa prej më shumë se dy orësh ka humbur çdo kontakt me ta. Të shqetësuar për gjendjen e tyre, banorë të fshatit janë nisur në këmbë për t’i gjetur dhe për t’u ardhur në ndihmë, pavarësisht kushteve të vështira atmosferike.

Situata në zonë paraqitet kritike, pasi prej mëngjesit mungon edhe energjia elektrike, ndërsa rrugët janë të bllokuara. Kërkohet ndërhyrje urgjente e strukturave përkatëse për hapjen e rrugës dhe shpëtimin e personave të bllokuar.

Pas marrjes së njoftimit për personat e bllokuar nga bora në aksin rrugor Kukur – Rovje, drejtori i Shërbimit Zjarrfikës në Gramsh, z. Ilir Llapushi, ka bërë me dije se ekipet e shpëtimit janë nisur menjëherë drejt zonës.

Sipas tij, trashësia e dëborës është shumë e madhe dhe automjetet nuk mund të avancojnë, ndaj ekipi i shpëtimit po vijon misionin në këmbë. Deri në këto momente nuk ka asnjë kontakt me personat e mbetur të bllokuar në dëborë.

Ndërkohë, banorë të zonës janë nisur gjithashtu për të ndihmuar në kërkime, ndërsa kushtet atmosferike vijojnë të jenë të vështira. Prej orëve të mëngjesit zona përballet edhe me mungesë të energjisë elektrike, çka e bën situatën edhe më problematike.

 

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb