Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan ka njoftuar zyrtarisht bllokimin e plotë të qarkullimit në aksin rrugor Librazhd–Pogradec, deri në një njoftim të dytë.
Sipas njoftimit zyrtar, në zbatim të këtij vendimi ndalohet lëvizja e të gjitha mjeteve në këtë segment, përfshirë mjetet e tonazhit të rëndë, autobusët si dhe mjetet e vogla. Autoritetet bëjnë me dije se edhe pikat kufitare do të njoftojnë dhe orientojnë drejtuesit e mjeteve që të mos vijojnë lëvizjen në këtë aks.
Për mjetet e vogla është përcaktuar një rrugë alternative: aksi Maliq–Lozhan–Moglicë–Gramsh, në drejtim të Tiranës dhe anasjelltas. Ndërkohë, do të lejohen të kalojnë vetëm ambulancat, shërbimet zjarrfikëse dhe mjetet e Policisë.
Shërbimet e Policisë ndodhen në terren për monitorimin e situatës dhe orientimin e drejtuesve të mjeteve, ndërsa u bëhet apel qytetarëve për mirëkuptim dhe respektim rigoroz të udhëzimeve të dhëna nga strukturat përkatëse.
Aksi kombëtar Librazhd-Hotolisht aktualisht po mirëmbahet nga kompania “ANK sh.p.k.”, firmë e cila po kryen edhe punimet për zgjerimin e këtij segmenti, pjesë e Korridorin e Tetë. Deri para shembjes masive kjo rrugë mirëmbahej nga kompania “2T”.
