Sulmet e fundit ukrainase ndaj infrastrukturës energjetike ruse po rrezikojnë përpjekjet e Moskës për të stabilizuar tregun e brendshëm të karburanteve, pas krizës së regjistruar gjatë verës. Sipas agjencisë “Bloomberg”, vala e goditjeve ndaj rafinerive mund të shkaktojë sërish mungesa të benzinës dhe naftës.

Gjatë fundjavës, në shënjestër u vunë tre rafineri në Ufa, me një kapacitet të përbashkët përpunimi prej rreth 470 mijë fuçish naftë në ditë. Një tjetër objekt industrial në rajonin e Vollgës, ku ndodhet rafineria Norsi me kapacitet prej 340 mijë fuçish në ditë, u sulmua gjithashtu.

Sulme të tjera u raportuan të premten në një rafineri në rajonin e Samarës, ndërsa sot u godit një rafineri e madhe në Yaroslavl.

Sipas “Bloomberg”, vëllimet e përpunimit të naftës në Rusi vijojnë të mbeten nën nivelet sezonale. Edhe pse çmimet e benzinës shënuan rënien më të madhe javore që nga fillimi i vitit në fund të tetorit, ato mbeten pothuajse 20% më të larta krahasuar me janarin.

Goditjet e njëpasnjëshme ndaj rafinerive mund të vështirësojnë furnizimin e tregut vendas dhe të rikthejnë presionin mbi çmimet e karburanteve në Rusi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb