TIRANË- Deputeti socialist dhe shkrimtari Ben Blushi ka deklaruar sot se treçereku i deputetëve në kuvend janë të vdekur si personazhi i tij në librin “Kandidati”, që është publikuar prej një jave. Blushi ka folur për personazhet në romanin e tij satiriko-politik, ndërsa tha se e ka shkruar për drejtimin jo të duhur në të cilin po ecën vendi vitet e fundit.
Por me sa duket ashtu si librat e mëparshëm të shkruar nga Blushi, edhe ky i fundit pritet të sjellë debate, sidomos pas deklaratave të fundit që deputeti ka thënë për emisionin “Zonë e Lirë” në Klan. Një prej këtyre deklaratave ka të bëjë pikërisht me një nga firmëtarët e aktit të pavarësisë, Lef Nosi. Për Blushin, Nosi është një kolaboracionist, pasi ka bashkëpunuar me pushtuesin duke marrë detyrën e regjentit gjatë kohës që gjermanët pushtuan Shqipërinë. Madje Blushi ka nxitur qytetarët e Elbasanit, ta tërheqin zvarrë bustin e Lef Nosit që ndodhet në këtë qytet.
PJESË NGA INTERVISTA E BLUSHIT
Kam shkruar për një botë që e njoh, merrem prej shumë kohësh me politikë. Për fat të keq vitet e fundit nuk është se Shqipëria ka ecur në rrugën e duhur. Kam shkruar shumë se duket që në Shqipëri nuk po ecet në rrugën e duhur. Një qytet afro sa Elbasani detyrohen te lënë vendin, rreth 100 mijë banorë. Shkallë shumë të lartë papunësi, pabarazie dhe të gjitha këto ngacmojnë. Pyetja është kur kemi në dorë të zgjedhim, bëjmë zgjedhjen e duhur apo jo. Elbasani është zgjedhur si qytet imagjinar kur një kandidat vdes dhe paçka se vdes, ai sërish fiton.
Për sa kandidatë është folur në zgjedhjet e fundit lokale si bandit, njerëz të inkriminuar etj. prap u zgjodhën. Nuk është vetëm faji i atyre që kandidojnë, por edhe i atyre që votojnë. Besoj se në Shqipëri votohet edhe për të vdekurit, jo natyrore, por mendore etj.
PËR KADIM SEDININ DHE LEF NOSIN
Shumë njerëz më pyesin pse e ka emrin Kadin Sedini. Kadim Sedini është emri që kam gjetur që Skadim Sedini, pra, ka skaduar por ju s’e dini. Se po ta dinit ju nuk do ta kishit zgjedhur. As s’e pranoj e as se mohoj për Sejdinin. Për Lef Nosin nuk kam sajuar asgjë dhe kjo nuk më bën fare kreativ në raport me veten. Në librat e mëparshëm që kam nxjerr unë kam marrë personazhe historik. E kam bërë për Ali Pashën, për Skënderbeun, pra këtë gjë e kam bërë edhe më përpara.
Lef Nosi ka qenë një patriot për hir të vërtetës, filantrop, njëri që ka pas pasion kulturën, pullat, folklorin. Ishte një njeri i kamur i Elbasanit pas 100 vjetësh. Kini parasysh që në atë kohë të varfërit nuk merreshin me politikë. Tani është pak më ndryshe. Të ishte një fshatar nga Tepelena apo nga Korça, nuk mund të merreshe me politikë para 100 vitesh. Lef Nosi ishte një nga përfaqësuesit e Ismail Qemalit në aktin e firmosjes së Pavarësisë, çka i jep nder Lef Nosit. Kishte miqësi me Ismail Qemalin, me Frashërin që më pas u ngatërrua keq. Lef Nosi duhet të ketë emrin Elefteros… Lef Nosi ishte ministër i Ismail Qemalit dhe e mori aktin e Pavarësisë dhe në vitin ’37 është zhdukur.
Pra, ai është njeriu i fundit që e ka pas ditur. E ka nxjerrë kopjen e tij në vitin ’37 kur Zogu bëri një ceremoni të paparë. Dhe që prej atëherë origjinali është zhdukur. Dhe pyetja është që pse nuk është Akti i Pavarësisë? Personazhet e mi e thonë, unë nuk e them dot se çfarë e ka bërë Lef Nosi këtë. Ai i vra në vitin ’45. Kur u bë ministër Fan Noli e ka zgjedhur kryetar Bashkie. Në vitin ’44 u bë regjent. Pas pushtimit nga Italianët, ne u futëm në monarkinë e tyre. Kishim mbret Viktor Emanuelin që kishte mëkëmbës në Shqipëri. Kur erdhën Gjermanët në ’43-’44, duhet të ndryshonin sistemin e qeverisjes. Ata nuk kishin monarki. Dhe ata ndërtuan një regjencë, Këshilli i Lartë Shtetëror, i përbërë nga katër vetë. Lef Nosi, Mithat Frashëri, Patër Anton Arapi dhe një nga Dibra, mysliman për të përfaqësuar katër besimet. Lef Nosi ishte një nga këta dhe kur erdhën komunistët në pushtet e vranë. Pra, ai u bë me pushtuesit. Imagjinojeni sikur kjo të ndodhte sot. Këtë bëri Lef Nosi.
Është i vetmi kolaboracionist në Evropë që ka një bust në mes të qytetit. Mund të ndodhi në Francë që një që ka bashkëpunuar me pushtuesit, në muze, por jo në shesh publik. Shpresoj që qytetarët e Elbasanit të çohen dhe ta tërheqin zvarrë bustin e Lef Nosit. Ka qenë kolaboracionist. Është çështje dinjiteti.
(m.k/BalkanWeb)
