Sulmi ndaj News 24 ishte në qendër të debatit në Komisionin e Ligjeve, ku u prezantua nisma ligjore e socialistëve për mediat audiovizive. Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ngriti shqetësime për lirinë e medias në Shqipëri, duke marrë si shembull atë që ndodhi me Neës 24 në gusht të vitit të kaluar, teksa kritikoi mungesën e bashkëpunimit me shoqatat e mediave për këtë ndryshim ligjor. “Arsyeja e votës kundër është se më informojnë se shoqatat e mediave nuk janë informuar për këtë projektligj. Në kushtet kur liria e medias në vendin tonë – viti që sapo mbyllëm – është pasqyruar në raportet ndërkombëtare të Bashkimit Europian, DASH dhe Reporterëve pa Kufij, si një vend ku liria e fjalës është cënuar në rajon. Kemi rastin e grupit mediatik Focus Media News 24, pamje që e turpërojnë Shqipërinë. Pa harruar faktin që sot të flitet për liri medie në një vend ku më shumë se dy të tretat e mediave janë të kontrolluara nga qeveria është ironike. Këto janë arsyet pse votova kundër.”, tha Blushi.
Deputetja Iris Luarasi tha se shoqatat e mediave do të jenë të premten në një seancë konsultimi për ligjin e mediave audiovizive. Edhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, theksoi nevojën që për këtë projektligj të dëgjohet zëri i mediave dhe i shoqërisë civile. “Shoqatat janë ftuar të gjitha ditën e premte dhe pjesa e konsultimit do të ndodhë atë ditë. Në bazë të shqetësimeve që u ngritën, projektligji synon t’i adresojë ato. Një nga çështjet që ka qenë në raportet e BE-së lidhet me transparencën dhe pronësinë e mediave në Shqipëri, dhe kjo është pjesa që përpiqemi të rregullojmë. Procesi konsultues zhvillohet të premten.”, pohoi Luarasi.
“Komisioni ynë është komision për dhënie mendimi. E rëndësishme është që ju të dëgjoni edhe zërin e mediave dhe shoqërisë civile, nëse doni.”, tha Manja.
Tedi Blushi ishte i vetmi deputet që votoi kundër projektligjit për mediat audiovizive. Pjesë e diskutimeve në Komisionin e Ligjeve ishin edhe dy prej ligjeve kyçe të reformës në drejtësi. Për projektligjin për statusin e gjyqtarëve, deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, teksa votoi kundër, e cilësoi atë antikushtetues dhe si një vijim të grushtit të shtetit ndaj reformës në drejtësi.
“Është një projektligj mafioz, thellësisht antikushtetues, që nuk synon asgjë tjetër përveç instalimit të ‘Ramaformës’ si strategji për asgjësimin e plotë të shtetit ligjor. Ky projektligj është vijim i grushtit të shtetit ndaj drejtësisë dhe reformës në drejtësi. Ndaj, në emër të Partisë së Lirisë dhe grupit të saj parlamentar, mbështes qëndrimin e drejtë, parimor dhe plotësisht kushtetues të Shoqatës Kombëtare të Gjyqtarëve, e cila është pozicionuar kundër këtij projektligji mafioz, për sa kohë ai synon shtrirjen e pushtetit absolut të Edi Ramës edhe në atë pjesë të gjyqësorit që sot nuk e kontrollon. Shoqata me të drejtë ka ngritur shqetësimin se ky projektligj jo vetëm shkel Kushtetutën dhe cenon parimin e ndarjes së pushteteve, por në mënyrë specifike i rrëmben kompetencat ekskluzive KLGJ-së sa i përket emërimit të kryetarëve të gjykatave. Ndaj, të jesh kundër një projektligji që shkel Kushtetutën është plotësisht e drejtë.”, tha ai.
Ndërsa kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, tha se shqetësimet e Shoqatës së Gjyqtarëve janë pasqyruar në projektligj. “Po ta kishit lexuar nenin 13 të projektligjit, aty ka gjetur zgjidhje edhe shqetësimi i Shoqatës së Gjyqtarëve, por ti i ngatërron shoqatat, sepse janë dy. Ne kemi bërë një zgjidhje që i jep frymëmarrje sistemit gjyqësor në drejtim të zgjedhjes së kryetarëve të gjykatave, legjitimisht sipas ligjit. Ju quheni si të doni, por ne e kemi busullën të qartë drejt integrimit në BE. Bashkëpunimi ynë është me Komisionin Europian dhe Bashkimin Europian. Ju bashkohuni këtij treni, sepse do të jetë vonë. Kur të hyjmë në BE, mos thoni se vutë dorë për integrimin, sepse ju vetëm e keni tërhequr nga xhaketa integrimin.”, pohoi ai.
