Edhe mjekët në Gjirokastër në protestë: Në vend të testimit do dorëzojmë CV tona*.

TIRANE – Mjekët dhe infermierët e QSUT-së kanë zhvilluar mesditën e sotme një protestë kundër dhunës së ushtruar nga pacientët ndaj bluzave të bardha, kundër videove të publikuara në media, që ata i kanë cilësuar si inskenime për marrje ryshfeti dhe testimit të paralajmëruar të personelit mjekësor. Mjeku infeksionist Tritan Kalo deklaroi se çdo lloj dhune ndaj bluzave të bardha është e patolerueshme. Sipas tij, mediat e kamerat duhet të shkojnë në spital për të parë se si shpëtohen dhjetëra jetë njerëzish çdo ditë, në kushte të vështira, dhe jo të merren me “200 lekësha të manipuluar”. Lidhur me testimin e personelit, Kalo tha se bluzat e bardha testohen çdo ditë përmes punës së tyre.

“Dhuna verbale dhe fizike ndaj personelit mjekësor është e patolerueshme. Nëse vazhdohet kështu bluzat e bardha do të jenë këtu përditë në orën 11:00. Në këtë mënyrë siç është konceptuar lufta ndaj korrupsionit është e palejueshme. Nuk korruptohet mjeku me 200 lekësha. Mjekët testohen çdo ditë në ndërgjegjen e tyre, kapacitetin e tyre intelektual me punën që bëjnë. Këtu shpëtohen dhjetëra jetë njerëzish përditë. Këtu nuk vijnë të shikojnë se sa njerëz shpëtohen dhe se në çfarë kushtet shpëtohen, por vijnë për një 200 lekësh të manipuluar. Bluzat e bardha kanë mbetur të bardha pikërisht nëpërmjet punës së tyre.”- deklaroi mjeku Kalo.
MJEKET PROTESTE NE GJIROKASTER

Edhe mjekët e spitalit të Gjirokastrës kanë protestuar sot kundër testimit të personelit mjekësor, duke pezulluar punën për rreth një orë. Mjekët janë shprehur se në vend të testit do të dorëzojnë CV-të e tyre.

“Nuk e pranojmë testimin, kemi përvojën e një jete të terë. Në vend të testimit do të vendosim CV-të tona.”- deklaruan mjekët.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: