TIRANE- Deputeti i Partisë Demokratike dhe njëkohësisht kreu i Departamentit të Arsimit, Luciano Boçi ka reaguar sot në lidhje me testimin e mësuesve.
Boçi ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama dhe Ministren e Arsimit, Lindita Nikolla se po detyrojnë sot me përdhunë mësuesit, t’i nënshtrohen një testimi politik dhe krejtësisht të paligjshëm.
Por si ministrja Nikolla ashtu edhe zv.ministrja Nora Malaj kundërshtuan këto deklarata. Nikolla tha se testi nuk prek vendet e punës së mësuesve, ndërsa zonja Malaj sqaroi se ky testim do zbulojë nevojat që mësuesit kanë, për tu kualifikuar më pas.
BOCI: TESTI I PALIGJSHËM E POLITIK
Boçi ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama dhe Ministren e Arsimit, Lindita Nikolla se po detyrojnë sot me përdhunë mësuesit, t’i nënshtrohen një testimi politik dhe krejtësisht të paligjshëm. “Rama dhe Nikolla detyrojnë sot me përdhunë mësuesit, ti nënshtrohen një testimi politik, krejtësisht të paligjshëm.
Testimi i sotëm, bie në kundërshtim me ligjin për Arsimin parauniversitar dhe dispozitat normative për zhvillimin profesional dhe pikërisht me nenin 58 të tyre”,- tha ai.
Duke vijuar me akuzat, Boçi shtoi: “Ai shkel cdo kod moral, etik e ligjor, për vlerësimin e punës së mësuesit. Rama dhe Nikolla, kanë gati tre vite që i kërcënojnë ata, i poshtërojnë, i nxjerrin gjuhën, i mashtrojnë, i transferojnë, i pushojnë sipas interesit, sipas klientelës, sipas bindjes politike.
Pasi i hoqën pa pikë përgjegjësie dhe morali pagën e 13-të, pasi i mbajtën varë për një vit, pa kontratën kolektive të punës, pasi i listuan në gusht, pabesisht, sipas përkatësisë partiake, në bazë të fakteve të denoncuara në këtë foltore, pasi i kërcënuan me vendin e punës për ti marrë votën, siç përcaktoi dhe raporti i OSBE-ODIHR-it, shpikën më në fund dhe këtë testim. Kanë tre vite që lodhen e sorrollaten për të hartuar e zbatuar, këtë procesion lincimi të mësuesve. Ndonëse, udhëzimi i vetë kësaj ministrie, që prej kohësh luan sport e tallet me mësuesit, përcakton se testimi bëhet në rrugë digitale, pa identifikim, një tjetër copë letre, e dalë nga zyra e Nikollës, i detyron mësuesit, ti nënshtrohen, në kundërshtim me vetë udhëzimin, një provimi me shkrim, me emër e mbiemër. Kjo nuk është thjesht vetëm prerje në besë, por është njëkohësisht, një maskaradë e një akt turpi i kësaj qeverie të pa turp. Ky testim nuk i shërben zhvillimit profesional, por realizon goditjen profesioniste denigruese të misionit dhe rolit fisnik të mësuesit. Mësuesit, do të dinë mirë ti japin notën e merituar kësaj qeverisje të dështuar”.
NIKOLLA: NUK RREZIKOHET VENDI I PUNËS
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Lindita Nikolla ka monitoruar nga afër zhvillimin e testimit (anketimit) të mësuesve pranë shkollës “Gjergj Kastrioti” në Durrës, nga ku theksoi se nuk do rrezikohet vendi i punës së asnjërit prej tyre.
“Testimi nuk do prekë mësuesit. S’do ketë largime mësuesish nga puna”.
Sipas Nikollës, testimi u shërben 14 mijë mësuesve dhe 500 mijë nxënësve. “Testimi i shërben kualifikimit të mësuesve”,- shtoi ministrja.
MALAJ: VLERESIMI, MBESHTETET TEK LIGJI PER ARSIMIN
Zv.ministrja e Arsimit, Nora Malaj ka reaguar pas akuzave që vinin nga selia e PD-së, në lidhje me testimin e mësuesve.
Zonja Malaj sqaron se me anë të këtij testi do maten nevojat që mësuesit kanë, me qëllim që më pas ti nënshtrohen kualifikimeve përkatëse.
“Nuk është testim, por matës i nevojave të mësuesve. Ne përcaktojmë nevojat e mësuesve për kualifikim”,- tha ajo.
Më tej, Malaj shtoi se vlerësimi mbështetet në ligjin për arsimin. “Testimi s’ka lidhje me vendet e punës, mësuesit e dinë”,- vijoi Malaj.
(ma.ar/BalkanWeb)
