Ishte 11 tetori dhe duket sikur ka qenë dje. Lorik Cana, ‘luftëtari’ është në lot. Fitorja 0-3 në Armeni ka rishkruar historinë e Shqipërisë, me pjesëmarrjen për herë të parë në një kompeticion të rëndësishëm si Europiani. Një fitore e arritur në grup, që nuk përfundon vetëm me ata futbollistë që ishin në fushë.

Xhani De Biazi dhe zëvendësi i tij, Tramexani kanë bërë një punë të jashtëzakonshme dhe kanë bërë që futbolli shqiptar të bëjë një hap gjigant përpara. Kjo, edhe për meritë të atyre personazheve që punojnë pas kuintave. Një prej tyre është edhe Erjon Bogdani. Ish-sulmuesi i gjysmës së Serisë A, që mban ende rekordin e numrit të golave të shënuar me fanellën e Shqipërisë (18) dhe që sot është pjesë e stafit të De Biazit në Kombëtare”, është hyrja që bën “La Lazio siamo noi” për intervistën me Erjon Bogdanin, përpara sfidës Lacio-Kievo.

Kanë kaluar tre muaj nga festimet në Tiranë, kur me Kombëtaren siguruat kualifikimin në Francë…
Ishte një arritje e madhe dhe një ëndërr e të gjithëve që u bë realitet. Trajneri dhe stafi i tij kanë bërë një punë të shkëlqyer dhe arritëm të siguronim kualifikimin.

Njëri prej protagonistëve ishte Etrit Berisha…
Kam shumë respekt për të. Është një portier mjaft i mirë dhe një profesionist ekzemplar. Megjithatë, dua t’i falënderoj të gjithë, pasi forca e Shqipërisë është grupi. Çdokush dha diçka për këtë arritje. Jo vetëm Berisha, të gjithë dhanë kontribut. Edhe Hysaj ka luajtur mjaft mirë, po aq sa edhe Cana.

A i keni këshilluar ndonjë talent shqiptar, mikut tuaj, Tares?
Me të flas shpesh dhe ai e di se si funksionon në Shqipëri. Lojtarët janë ekstrakomunitarë dhe është e vështirë për të afruar ndonjë prej tyre. Tare është i zoti dhe nuk ka nevojë për këshilla. Është duke e bërë mjaft mirë punën e tij te Lacio.

Keni menduar ndonjëherë të ishit në sulmin e Lacios?
Një herë kam qenë shumë pranë, por nuk u bë asgjë. Atëherë kur Makinua erdhi te Kievo në 2009-ën, unë duhet të shkoja te Lacio. Megjithatë, qëndrova në Verona dhe golin e parë e realizova pikërisht përballë Lacios në Olimpiko.

Për ata që s’e dinë se Bogdani shpërtheu me Salernitanën, pikërisht me Piolin në krye…
Në fillim luanim për mbijetese dhe me Piolin bëmë një sezon të shkëlqyer. Që atëherë e kam thënë se është një trajner i madh dhe mund të arrijë akoma më shumë në Itali.

Të dielën luhet Lacio-Kievo dhe është një 4-0 për t’u hakmarrë…
Lacios i duhet që të përmirë- sojë renditjen. Kam parë ndeshjen kundër Juves dhe luajti mjaft mirë. Kundër Kievos do të jetë e vështirë sepse është një ekip fizik që të krijon probleme. Më vjen keq për Kievon, por Lacion e shoh favorite.

Cili është sekreti i Kievos?
Është një shoqëri e fortë dhe presidenti i ka zgjedhur mirë si stafin, ashtu edhe futbollistët që ka në organikë për të qëndruar në kategori. Disa javë më parë isha në Verona dhe kam ndjekur disa seanca stërvitore e më pëlqeu shumë filozofia e Maran. Ka shumë lojtarë ekspertë që dinë të zotërojnë mjaft mirë territorin e tyre në fushën e lojës. Po arrijnë rezultate mjaft pozitive./panoramasport
(ed.me/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: