Një protestuese e pranishme para Kryeministrisë ka mbajtur një fjalim të ashpër, duke kundërshtuar mënyrën se si Policia e Shtetit po menaxhon tubimet dhe duke akuzuar qeverinë për përdorimin e forcës ndaj qytetarëve, studentëve dhe të miturve.

Ajo ngriti pikëpyetje për përdorimin e dronit me vlerë 300 mijë euro, automjeteve të ujit dhe mjeteve të tjera të ndërhyrjes gjatë protestave. Protestuesja përmendi gjithashtu përdorimin e armëve të ftohta dhe të lëndëve kimike, duke pretenduar se këto të fundit kanë shkaktuar dëme edhe te vetë efektivët e policisë.

Sipas saj, Policia po përpiqet të largojë qytetarët nga rruga, ndërsa qeveria po shpërblen efektivët për ndërhyrjet ndaj protestuesve.

“Policia do që ne të largohemi. Por nuk është vepër penale droni 300 mijë euro, makinat e ujit që pamë dje, armët e ftohta të përdorura kundër fëmijëve, kur studentëve dhe minorenëve u thyhen këmbët, përdorimi i lëndëve kimike ndaj protestuesve? Helmet e përdorura janë edhe në dëm të policisë, por këta janë të paaftë dhe nuk e kuptojnë. U jep shpërblim policisë Rama që të dhunojnë protestuesit”, u shpreh ajo.

Në vijim, protestuesja deklaroi se qytetarët kërkojnë drejtësi dhe se nuk do të tërhiqen nga protesta. Ajo përdori tone të ashpra ndaj kryeministrit, duke shprehur bindjen se qeveria do të rrëzohet.

“Boll na bëtë për budallenj, sorra e korba, boll ju dëgjuam. Ju ka ardhur fundi, mos sot, nesër ky do të rrëzohet. Ndaj ka marrë mjete të rënda. Po kërkojmë drejtësinë”, deklaroi protestuesja.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb