Tashmë nuk është më një sekret, Bologna dëshiron me çdo kusht mesfushorin e Kombëtares Shqiptare dhe kapitenin e Pescaras, Ledian Memushaj.

Skuadra emiljane ka rritur ofertën nga 2 në 4 milionë€ për 29-vjecarin vlonjat, i cili zhvilloi një paraqitje mbresëlënëse në Euro 2016 me fanellën kuqezi.

Sipas gazetës torineze “Tuttosport”, Pescara mund të vendosë shitjen e shqiptarit për të bërë një goditje me peshë në sulm pas largimit të Lapadulas.

Zërat për të ardhmen e Memushajt kanë nisur të qarkullojnë gjatë javëve të fundit edhe pse mesfushori kuqezi e ka siguruar aktivizimin në Serie A gjatë sezonit të ardhshëm.

Ai ishte një nga lojtarët kyç të Pescaras në fazën play-off për ngjitjen mes më të mirëve edhe pse nuk arriti të aktivizohej në ndeshjen e kthimit kundër Trapanit ku skuadra abruceze preu biletën për rikthimin në Serie A.

Në radhët e Pescaras, Memushaj mban shiritin e kapitenit, por një eksperiencë e re te Bologna mund të jetë një destinacion i pranueshëm për të pasi kuqeblutë kanë vendosur të investojnë në merkato për të ndërtuar një skuadër që synon kupat e Europës.

(b.k/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb