Të paktën 11 palestinezë, mes tyre edhe një fëmijë vetëm 4 vjeç, janë vrarë nga sulmet izraelite në Rripin e Gazës gjatë së dielës dhe të hënës, pavarësisht armëpushimit që është në fuqi që prej tetorit 2025.

Sipas burimeve spitalore në zonë, pesë persona u vranë të dielën nga një sulm me dron në Al-Mawasi, në perëndim të Khan Younis, në jug të Gazës. Ministria e Brendshme e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, bëri me dije se viktimat ishin efektivë policie që ndodheshin në detyrë.

Ndërkohë, ushtria izraelite deklaroi për agjencinë AFP se objektivi i sulmit ishte një person që e cilësoi si terrorist. Sipas Reuters, ushtria izraelite tha se kishte goditur persona të armatosur në zonën e Khan Younis.

Një tjetër sulm me raketa goditi një shkollë në lagjen Al-Rimal, në qytetin e Gazës, ku humbën jetën tre persona, mes tyre edhe një djalë 4-vjeçar.

Sulmet vijuan edhe të hënën. Mjekët njoftuan se dy persona të tjerë u vranë dhe gjashtë mbetën të plagosur nga dy sulme ajrore në Khan Younis. Ndërsa një tjetër person humbi jetën në një sulm izraelit në zonën e al-Musaddar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb