TIRANË- Gjithë vendi është pushtuar nga temperaturat disa gradë nën zero, ndërsa mjaft qarqe ndodhen të mbuluara nga bora. Por më problematike situata paraqitet në disa zona si Pukë, Fushë-Arrëz e Dibër.
Nga raportimet e para për ditën e sotme mësohet se për shkak të motit të keq me ngrica, ku temperaturat shkojnë deri në -17 gradë Celsius ka probleme me qarkullimin në Pukë.
Akset Fushë Arrëz- Kukës dhe Qafë Mali- Fierzë janë të bllokuara. Po kështu të gjithë fshatrat në Pukë dhe Fushë Arrëz janë të bllokuara, ndërsa mësohet se në disa fshatra është ndërprerë furnizimi me ujë e energji. Në Fushë Arrëz është e nevojshme ndërhyrja por Bashkia nuk ka mjete.
Ndërkaq në Bulqizë-Peshkopi temperaturat shkojnë deri në -16°C. Në qarkun e Dibrës disa njësi administrative janë të bllokuara si Lura, Kalaja e Dodës, Selishta. Aksi Milot-Peshkopi është i kalueshëm vetëm me zinxhirë.
Në Kukës, të gjitha akset janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Në aksin Kukës-Krumë për shkak të akullit, lëvizja është e mundur vetëm me zinxhirë.
Po kështu edhe në Korçë, të gjitha akset të kalueshme vetëm me zinxhirë. Në Qafë Thanë dhe Kapshticë, e kalueshme pa zinxhirë.
(m.k/BalkanWeb)
