TIRANË

Gjatë bashkëbisedimit të sotëm më gazetarët, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi ka folur edhe për ndërkombëtarët që kanë qenë në vendin tonë dhe kanë mbështetur maxhorancën e kryeministrit Edi Rama.


Kryemadhi përmendi edhe ish-ambasadoren e BE-së Romana Vlahutin për qëndrimin e saj gjatë kohës kur u miratua reforma në drejtësi.


“Vlahutin do të thoshte hajde të blejmë votat e opozitës por ndërkohë nuk bëhej fjalë për të blerë deputetët e opozitës sepse ishin votat e LSI-së ato që garantonin por bëhej fjalë për të miratuar një reformë në drejtësi me unison, me konsensus të plotë politik. Nëse do kishim miratuar një reformë në drejtësi pa PD-në kur ishte partia kryesore opozitare dhe ishte jashtë këtij procesi, normal që kjo reformë në drejtësi nuk do ishte e besueshme jo vetëm për SHBA por as për BE. Më pas vijmë në një proces tjetër, që çfarë ka munguar në Shqipëri nga politika shqiptare asnjëherë nuk ka qenë si rezultat i LSI-së, përkundrazi LSI ka qenë ajo forcë politike, e cila ka bërë balancën dhe ka vendosur gjithmonë vendosjen e urave të komunikimit dhe ngritjen e projektligjeve apo hartimin e projektligjeve që kanë qenë shumë domethënëse dhe thelbësore për partnerët tanë. Mos harroni ligjin për shërbimet sekrete në korrik të 2010 ku pa votat e LSI-së dhe me votat e LSI u ndalua një draft i cili cenonte sigurinë e anëtarësimit të Shqipërisë që ishte në NATO dhe me partnerët tanë strategjikë. Mos harroni reformën në drejtësi që pa LSI-në nuk do të realizohej votimi, se për një nen, neni 88 bëhej gjithë loja”, deklaroi Kryemadhi.

Një pyetje për Vlahutin e ardhur nga vetë LSI për Kryemadhin përfshiu në përgjigje edhe kryetarin e bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
“Mirë zoti Borchardt ngriti gishtin, po të ishte znj. Vlahutin çfarë do ngrinte?”, ishte pyetja.
Ndërsa Kryemadhi u përgjigj: “Atë nuk e dimë, pyesni Erion Veliaj më mirë”.


Ajo shtoi më tej se ndërkombëtarët janë shumë të qartë për atë çfarë po ndodh. “Sigurisht janë të keqinformuar, sigurisht që kanë pasur një terr informativ për atë çka po ndodh po ndërkombëtarët nuk do të bëhen kurrë palë me asnjë njeri që shkel kushtetutën dhe ligjin”, tha Kryemadhi.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb