Bashkia e Vlorës dërgon një tjetër grup ekspertësh në Klubin e Futbollit Flamurtari për borxhet. Lajmi është konfirmuar dje për “Panorama Sport” nga administratori i klubit vlonjat, Sinan Idrizi. Ky grup do të verifikojë edhe një herë situatën e borxheve.
Administratori Idrizi thotë se kryetari i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli, ka vullnetin e plotë për zgjidhjen e kësaj situate. “Bashkia është vënë në lëvizje për të gjetur një zgjidhje për çështjen e borxheve. Pas prononcimit që unë kam bërë në lidhje me këtë çështje pak ditë më parë në ‘Panorama Sport’, nisur edhe nga buxheti që kishte miratuar Këshilli Bashkiak, kryetari i bashkisë, Dritan Leli, më ka telefonuar nga Amerika.
Ai më ka konfirmuar vullnetin e tij për ta zgjidhur këtë çështje dhe për t’i dhënë një zgjidhje konkrete dhe brenda të gjithë kuadrit ligjor. Në mënyrë të menjëhershme, para tri ditësh, Leli dërgoi në klub një ekip specialistësh nga bashkia, të cilët po shikojnë edhe një herë dosjet dhe po ndjekin situatën. Vetë kryetari i bashkisë, Dritan Leli, po ndjek me mjaft përgjegjësi këtë çështje.
Grupi i ngritur edhe një herë nga bashkia do të rishikojë borxhet. Kontrata është e qartë dhe ata kanë marrë përsipër që ta zgjidhin këtë problem, pasi borxhet janë të bashkisë dhe nuk janë krijuar nga unë dhe në këtë mënyrë, ata duhet t’u përshtaten kushteve të kontratës.
Kam gjetur mirëkuptimin e kryetarit të bashkisë dhe do ta zgjidhim këtë ngërç në të mirë të të gjitha palëve”, tha fillimisht Idrizi. E ardhmja Administratori i Klubit të Futbollit Flamurtari, Sinan Idrizi, shprehet se edhe pse në qershor i përfundon kontrata, nuk largohet nga Flamurtari. Idrizi thekson se do të qëndrojë në krye të klubit me çdo lloj kushti.
“Unë nuk e lë Flamurtarin. Pa privatizim apo me privatizim, unë nuk tërhiqem. Do të qëndroj te Flamurtari me çdo lloj kushti. Nuk e lë këtë ekip e do të vijoj të jem pjesë e drejtimit. Ju siguroj se shumë shpejt këto probleme do të marrin fund dhe te Flamurtari nuk do të flitet më për të tilla gjëra. Unë nuk tërhiqem, do të vazhdoj projektin tim te Flamurtari”, shprehet administratori Idrizi.
Ultimatumet Klubi i Futbollit Flamurtari pritet të paguajë dy borxhe që janë edhe më emergjente. Vlonjatët rrezikojnë që të humbasin gjashtë pikë të tjera, nëse nuk do të shlyejnë në kohë detyrimet që kanë, që janë borxhe të prapambetura që nga koha kur klubi drejtohej nga bashkia.
Dhe dy rastet më emergjente janë borxhet ndaj dy ish-lojtarëve, Bllazho Rajoviç dhe Aleksandër Bajevski. Për këta dy lojtarë kanë mbërritur ultimatume të vazhdueshme nga FIFA. 18204 euro është shuma që duhet t’i paguhet Bllazho Rajoviçit, ndërsa Aleksandër Bajevskit 47884 euro.
Burime pranë klubit vlonjat konfirmuan për “Panorama Sport” se pagesat për këta dy lojtarë pritet të bëhen javën e ardhshme, me qëllim që të mos përsëritet rasti i Toni Pezos, për të cilin Flamurtarit iu hoqën tri pikë edhe pse klubi e pagoi detyrimin.
(PanoramaSport/BalkanWeb)
