Është shoqëruar me tensione seanca ndaj tre të rinjve, që dyshohet se janë autorët e grabitjes së bankës në Koplik, Bekim Gurra, Admir Shaba dhe Armir Shaba.

Gazetari Senad Nikshiqi raporton për “BalkanWeb” se gjatë seancës, Bekim Gurra, i cili dyshohet si autori kryesor i grabitjes, nuk ka pranuar që të flasë, duke u përfaqësuar nga avokati i tij mbrojtës, Ndue Pjetra, i cili kërkoi pavlefshmërinë e akteve ndaj 22-vjeçarit, ku përfshihet edhe dëshmia e tij në polici që pranon dhe tregon gjithë ngjarjen, pasi pretendoi se është marrë në pyetje ende pa u kryer regjistrimi i procedimit penal nga prokuroria.

Ndërkohë, dy të dyshuarit e tjerë, Admir Shaba dhe Armir Shaba, kanë mohuar se ata janë pjesë e grabitjes së bankës në Koplik, madje gjatë seancës kanë debatuar me shtetasin Bekim Gurra, duke i thënë se përse “na ke përmendur ne dhe s’kemi qenë në atë grabitje me ty”. Në atë moment, kanë ndërhyrë forcat e policisë, duke i larguar nga njëri-tjetri.

Ndërkohë, shtetasi Bekim Gurra ka shfaqur shenja pendese gjatë masës së sigurisë dhe pritet që të bashkëpunojë me drejtësinë dhe të tregojë të vërtetën rreth kësaj grabitjeje të bakës në Koplik. Sipas dyshimeve, njëri prej vëllezërve të Bekim Gurraj, ka pasur një borxh prej afro 20 mijë euro dhe ka marrë kërcënime për jetën dhe në këtë mënyrë i vëllai i tij ka tentuar grabitjen e bankës për të shlyer borxhin e vëllait.

Gjatë seancave të tjera pritet që 22-vjeçari të japë dëshminë e tij edhe për gjykatën për të sqaruar se cili është versioni i tij përfundimtar rreth kësaj grabitjeje. Në fund të seancës, Bekim Gurra, Admir Shaba dhe Armir Shaba u lanë në qeli nga gjyqtarja Izabela Radovani.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb