Këshilli i Ministrave i Bosnjës dhe Hercegovinës ka ngrirë pasurinë dhe mjetet financiare të 11 shtetasve të Bosnjës të lidhur me organizatat terroriste, Shteti Islamik (IS) dhe Al-Nusra, duke zbatuar detyrimet që rrjedhin nga Rezoluta e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Për shumicën e personave të sanksionuar është lëshuar edhe njoftimi i kuq i INTERPOL-it, me kërkesë të autoriteteve të Bosnje e Hercegovinës.

Vendimet kanë të bëjnë me ngrirjen e burimeve ekonomike dhe mjeteve financiare të personave që lidhen me vepra penale të ndërlidhura me terrorizmin dhe financimin e tij dhe janë publikuar më 19 shkurt.

Në listë është edhe Nusret Imamoviq, udhëheqës radikal selefist, i cili para disa vitesh ishte futur në listën e dhjetë terroristëve më të kërkuar në botë dhe ndodhet nën sanksione të Kombeve të Bashkuara, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian. Sipas informacioneve që janë të qasshme, ai dhe familja e tij jetojnë në Siri për më shumë se dhjetë vjet.

Ndër të sanksionuarit janë edhe Muradif Hamzabegoviq, për të cilin supozohet se ndodhet në Siri, si dhe bashkëshortja e tij, Sena Hamzabegoviq, e cila ishte ndjekur penalisht për dërgim të parave në Siri, por është liruar nga akuzat, pasi Prokuroria nuk arriti të dëshmojë se ajo e dinte për çfarë qëllimi po përdoreshin paratë.

Gjykata e Bosnjës dhe Hercegovinës e dënoi Hamzabegoviqin në mungesë në vitin 2013 me gjashtë vjet burg për kontrabandim të qenieve njerëzore.

Në listën e të sanksionuarve është edhe Hariz Meshanoviq, si dhe dy djemtë e tij, Adem dhe Meho, për të cilët gjithashtu supozohet se ndodhen në Siri.

Pasuria është ngrirë edhe për Azur Karasuljiqin, Edin Zukiqin dhe Emir Çelamo, si dhe për Aleksandar Ruzhiqin, për të cilin thuhet se iu bashkua grupeve terroriste në Siri.

Masat vlejnë edhe për Jasmin Grabusin, i cili gjithashtu ndodhet në Siri.

Këshilli i Ministrave i Bosnje e Hercegovinës ka bërë të ditur se vendimet kanë karakter parandalues dhe janë të orientuara drejt mbrojtjes së sigurisë së Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe përmbushjes së obligimeve ndërkombëtare të shtetit, përfshirë obligimet ndaj MONEYVAL-it (Komiteti i ekspertëve të masave kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit të Këshillit të Evropës) në lidhje me vendosjen e sanksioneve financiare për terrorizëm.

Është theksuar se masat nuk paraqesin përcaktim të përgjegjësisë penale dhe as nuk paragjykojnë rezultatin e ndonjë procedure para gjykatave kompetente apo Prokurorisë.

Sipas të dhënave të agjencive të inteligjencës dhe sigurisë, nga Bosnja dhe Hercegovina gjatë konfliktit në Siri dhe Irak, në periudhën 2012-2016, kishin shkuar rreth 300 shtetas të Bosnjës, përfshirë burra, gra dhe të mitur, ndërsa në këto zona kanë lindur edhe më shumë fëmijë.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb