Brad Arnold, vokalisti kryesor i grupit të njohur amerikan të rock-ut 3 Doors Down dhe i nominuar për çmimin Grammy, ka ndërruar jetë në moshën 47-vjeçare, disa muaj pasi kishte bërë publik diagnozën me kancer në veshka në fazën e katërt.
Lajmi u konfirmua të shtunën nga vetë grupi përmes një deklarate zyrtare, ku thuhet se Arnold “u nda nga jeta në gjumë, i rrethuar nga familjarët dhe njerëzit e tij më të afërt, pas një beteje të fortë me sëmundjen”.
Grupi 3 Doors Down u krijua në vitin 1995 në Misisipi dhe vetëm katër vite më vonë mori nominimin e parë për Grammy me hitin “Kryptonite”, këngë të cilën Arnold e kishte shkruar që në moshën 15-vjeçare, gjatë një ore matematike. Albumi debutues i grupit, “The Better Life”, arriti të shiste mbi 6 milionë kopje në nivel global.
Një tjetër nominim për Grammy erdhi në vitin 2003 me këngën “When I’m Gone”, ndërsa 3 Doors Down u shndërrua në një nga grupet më të njohura të rock-ut alternativ në fillim të viteve 2000. Në total, grupi publikoi gjashtë albume studio, ku më i fundit ishte “Us and the Night”, i publikuar në vitin 2016.
