Kombëtarja e vajzave zhvilloi pasditen e sotme stërvitjen zyrtare në stadiumin e Nikshiqit, në prag të ndeshjes ndaj Malit të Zi, sfida e parë e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2027. Skuadra paraqitet e plotë dhe në gjendje të mirë fizike për këtë përballje të rëndësishme.
Një ditë para takimit, trajneri Armir Grima në një prononcim për fshf.org shpreh optimist për gjendjen e ekipit dhe objektivin e qartë për ta nisur me fitore këtë fushatë eliminatore.
“Mendoj që jemi mirë, si fizikisht ashtu edhe të përgatitur për këtë ndeshje. Kaluam disa probleme gripale me vajzat, por tani jemi të plotë dhe gjithmonë qëllimi është ta nisim sa më mbarë.
T’i fillojmë sa më mirë këto eliminatore. Kemi ardhur për ta fituar këtë ndeshje. Kemi punuar gjatë këtyre ditëve dhe do t’ia bëjmë yzmetin. Do të luftojmë nesër për ta fituar ndeshjen.”
Tekniku kuqezi theksoi gjithashtu rëndësinë e frymës së grupit dhe bashkëpunimit në fushë.
“Vajzat do të mundohen të japin atë që kanë dhënë në ndeshjet e tyre më të mira, që është fryma e ekipit dhe bashkëpunimi në grup. Nëse arrijmë ta japim këtë dhe të luftojmë 100% në çdo cep të fushës, do të dalim faqebardhë nga kjo ndeshje.” – përfundoi trajneri Grima prononcimin e tij.
Ndeshja Mal i Zi – Shqipëri do të zhvillohet nesër në Nikshiq në ora 14:00 dhe do të transmetohet live në FSHF Tv.
