Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar rinovimin e kontratës me trajnerin e Kombëtares, Silvinjo si edhe me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë në stafin teknik, Pablo Zabaleta dhe Doriva. Kontrata e stafit teknik të Kombëtares, kishte përfunduar pak ditë më parë duke qenë se e vjetra ishte aktive deri në fundin e vitit 2025.
Marrëveshja e re do të jetë e vlefshme deri në muajin korrik 2026 dhe është e orientuar drejt një objektivi madhor dhe historik, kualifikimin e Shqipërisë për herë të parë në fazën finale të Kupës së Botës. FSHF vlerëson se projekti i ndërtuar nën drejtimin e Silvinjos përfaqëson një bazë solide për arritjen e këtij synimi ambicioz. Në rast se Shqipëria arrin të kualifikohet, kontrata e re përfshin natyrisht edhe ndeshjet e Kupës së Botës ndërkohë që mbetet e paqartë se çfarë do të ndodhë pas përfundimit të Kupës së Botës. Muaji mars do të jetë shumë i rëndësishëm për kuqezinjtë, të cilët do të përballen me Poloninë në gjysmëfinalen e play offit më 26 mars.
Në rast suksesi, Kombëtarja shqiptare do të luajë finalen vendimtare përballë fituesit të çiftit Ukrainë-Suedi, në një ndeshje që mund të hyjë në histori për futbollin shqiptar. Vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka deklaronte pak kohë më parë se nëse Shqipëria kualifikohej në Botëror, kontrata e trajnerit do të rinovohej ndërkohë që tashmë mbetet gjithçka në dorë të “Play Off”, ku kuqezinjtë kanë shansin e fundit për të shkuar në Amerikë duke realizuar ëndrrën për të cilën ka tentuar për shumë vite.
LIGA E KOMBEVE- Me kontratën e re, është i sigurt vetëm rrugëtimi i Shqipërisë në Botëror, ndërkohë që mbetet e paqartë e ardhmja e stafit teknik por edhe e Kombëtares pas rrugëtimit në Kupën e Botës. Në shtator, Shqipëria do të rikthehet në fushë, ku do të luajë në Ligën e Kombeve dhe do të synojë që të arrijë edhe një herë tjetër ngjitjen në Ligën B, pas dështimit në sezonin e shkuar të Ligës së Kombeve. Shpesh herë, është treguar nga të dyja palët dëshira e madhe për të vazhduar së bashku, ndërkohë që pas Botërorit, mund të ketë një tjetër histori. Nëse Shqipëria kualifikohet, Silvinjo do të jetë i vetmi trajner brazilian në Kupën e Botës, ndërkohë që një sukses i tillë, mund të rrisë edhe interesimin për trajnerin e Shqipërisë.
Diçka e tillë, do ta bënte të vështirë për FSHF-në që të mbante në gjirin e saj trajnerin brazilian, i cili në fakt ka arritur sukesese të mëdha me Shqipërinë. Në rast se Shqipëria nuk arrin të kualifikohet, atëherë shanset për të mbajtur Silvinjon, ndoshta janë më të larta megjithëse do të vendoset pas diskutimit që palët do të kenë dhe me shumë gjasa, vendimi mund të konfirmohet para korrikut, afati për skadimin e kontratës aktuale të trajnerit brazilian dhe stafit të tij.
ARRITJET E SILVINJOS- Silvinjo nën drejtimin e Shqipërisë ka arritur suksese të mëdha. Që në sezonin e tij të parë, arriti të fitonte grupin e kualifikueseve të Europianit, duke arritur në Europian për herë të dytë në histori. Vetëm një vit pas Europianit, Shqipëria arriti për herë të parë në histori që të kualifikohej në Play Off të Kupës së Botës, aty ku ka shanse reale për të tentuar Botërorin.
DUKA- Rinovimin e kontratës së Silvinjos dhe stafit të tij, e ka përshëndetur edhe presidenti i FSHF-së, Armand Duka me anë të një postimi në rrjetet sociale. Me një foto të shkrepur gjatë hedhjes së shortit në Uashington, Duka shkruan: “Vazhdojmë së bashku drejt ëndrrës së madhe të Botërorit 2026”. Tashmë, mbetet vetëm për të pritur dhe për të parë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen me trajnerin brazilian.
