Gazetari, publicist, ideuesi dhe drejtuesi i një sërë emisionesh televizive, Artur Zheji, është përcjellë këtë të hënë për në banesën e fundit nga Universiteti i Arteve, ku dhjetëra miq, të njohur, kolegë, përfaqësues mediash e politikanë u përulën për ta nderuar në homazhe dhe ndoqën në heshtje kalimin e fundit të tij.

Familjarët ende të tronditur nga humbja e beftë në moshën 64-vjeçare e shoqëruan të përlotur.

Figura politike vunë në dukje veçantitë e tij si publicist e kritik, sikundër kontributin e tij të çmuar për Kosovën.

Artistë që e njohën si student, koleg e artist për kohët kur studionte në Akademi e shkruante drama, vunë në dukje botën e thellë shpirtërore dhe boshin që lë pas.

Personalitete të botës së medias me të cilët ka bashkëpunuar, përfshirë botuesin e News24 dhe drejtuesit e televizionit ku Artur Zheji zhvilloi emisionin “Pikat mbi i”, nderuan kujtimin e tij.

Nga 2021, për disa vite Artur Zheji ishte bashkëdrejtues në emisionin “Pikat mbi i” në News24, një emision që pati shumë sukses falë edhe pjesëmarrjes së tij.

Ish-studenti i Arteve, që punoi disa vite si gazetar në Itali, pinjolli i dy prinderve si Petro Zheji e Besa Imami, babai i tre fëmijëve, u shua papritur të shtunën, teksa pushonte në Sarandë nga një arrest kardiak, pak ditë përpara se të mbushte 64 vjeç.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb