Dhjetra libra të botuar nga shtëpi botuese shqiptare në Tiranë, janë piratuar në Maqedoninë e Veriut, blerë nga Komuna e Tetovës dhe shpërndarë nëpër librari e biblioteka duke shënuar një shkelje të rëndë të të drejtës së autorit.
Shqetësimi u bë publik nga botuesi i Onufrit, Bujar Hudhri, i cili ka denoncuar edhe në autoritetet e drejtësisë në Maqedoninë e Veriut vjedhjen e librave të Ismail Kadaresë dhe autorëve të tjerë shqiptarë apo të huaj të përkthyer në gjuhën shqipe. Librat, pronësia e të cilëve i takon shtëpive botuese shqiptare, skanohen, printohen dhe shiten jashtë vendit duke dëmtuar jo vetëm financiarisht por edhe moralisht, botuesit shqiptarë.
“Vetë shteti, vetë kryetari i komunës së Tetovës blen një mall të vjedhur që janë librat e botuesve shqiptarë, 5450 libra i demonstroi dhe u mburr. Ai kryetar i komunës e ftoi Kadarenë dhe i dha çmimin Qytetar Nderi dhe ai vjedh librin eIsmail Kadaresë”, tha Hudhri.
Në Konferencë, ishte i pranishëm edhe Petrit Ymeri, i cili në emër të Shoqatës së Botuesve shqiptare, bëri me dije shtrirjen e problematikës dhe kërkesat për shtetit shqiptar, i cili duke mos hequr doganën për librat, e bën të vështirë shkëmbimin me dy shtetet me banorë shqipfolës.
“Ne duam ndërhyrjen e shtetit shqiptar, se ka një forcë tejëtr. Ka një mundësi tjetër dhe po ndihmon një proces të rëndësishëm, që është kultura dhe pasurimi kulturor” u shpreh kreu i Shoqatës, Petrit Ymeri.
Hudhri tha se “nëse shtetit i dhimbset kultura kombëtare, kle të lëvizë, ne duam të ndërgjegjësojëm e të sensiblizojmë që të dini se në çfarë kushtesh të vështira janë botimet shqiptare”.
“Ka një problem të madh që e dëmon këtë proces, që ne e kemi librin me doganë. Me të vetmet vende që Shqiëoria e ka librin me daganë, janë tre vendet shqipfolëse, janë Kosova, Maqedonia e Veriu dhe Mali i Zi. Me të gjithë Europën nuk ka doganë libri, është zero”, shtoi Ymeri.
Me taksat shqetësuese mbi librin, uljen e numrit të lexuesve, uljen e numrit të kopjeve të shitura, mungesën e financimeve dhe të politikave mbi librin, problematikat të kësaj natyre, dëmtojnë më së tepërmi, shoqërinë e së nesërmes dhe marrëdhëniet e saj me librin e dijen, se sa botuesit.