Deputeti i PD, Eno Bozdo ka reaguar pas raportit të ODIHR në lidhje me zgjedhjet e 11 majit.
Ai theksoi se me këtë raport zgjedhjet e 11 majit kanë humbur legjitimitetin dhe sipas është shoqëruar me shkelje të rënda.
“Raporti përfundimtar i OSBE/ODIHR ka hedhur poshtë përfundimisht legjitimitetin e zgjedhjeve të 11 majit, duke konfirmuar se procesi është shoqëruar nga shkelje të rënda, abuzim me pushtetin dhe mungesë e barazisë mes garuesve. Gjetjet e raportit janë mëse të mjaftueshme për të bindur opinionin publik dhe këdo që ende beson se me Edi Ramën në krye të qeverisë mund të zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme.
OSBE/ODIHR ngre një sërë shqetësimesh serioze që vënë në dyshim integritetin, barazinë dhe transparencën e zgjedhjeve.
Sipas raportit, fushata është dominuar nga abuzimi me burimet shtetërore, presioni mbi administratën publike dhe përdorimi i mjeteve të komunikimit për qëllime manipuluese, duke cenuar ndjeshëm standardet ndërkombëtare të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Fushata dhe Barazia e Mundësive
Abuzim masiv me burimet shtetërore, përfshirë aktivitete publike, inspektime, inaugurime, shpërndarje bonusesh për pensionistët dhe falje gjobash gjatë periudhës zgjedhore.
• Presion i vazhdueshëm mbi punonjësit e administratës publike për të marrë pjesë në fushatë ose për të mbledhur të dhëna për votuesit që jetojnë jashtë vendit.
• Raporte të shumta për intimidim ndaj votuesve dhe kandidatëve të opozitës, duke krijuar një klimë frike dhe pasigurie.
• Përdorimi i pakontrolluar i rrjeteve sociale, pa rregullim ligjor, ka lejuar përhapjen e përmbajtjeve manipuluese dhe të gjuhës së urrejtjes.
• Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk ka ndërmarrë masa efektive për ndalimin e këtyre shkeljeve, duke dëmtuar barazinë në garë.
Media
• Mjedisi mediatik është i dominuar nga interesa të forta politike dhe ekonomike, që kanë ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën se si informohet publiku.
• Mungesa e pluralizmit mediatik dhe kontrolli i përmbajtjes kanë kufizuar mundësinë e partive opozitare për t’u prezantuar në mënyrë të barabartë në hapësirat publike.
• OSBE thekson se transparenca e pronësisë së mediave mbetet e paqartë, duke ndikuar në objektivitetin e raportimit.
Dita e Zgjedhjeve
• Procedura të papërmbushura në shumë qendra votimi, përfshirë hapjen e vonuar, mosverifikimin e kutive bosh dhe moskontrollin e bojës së sigurisë.
• Cenim i fshehtësisë së votës në rreth 12% të qendrave të vëzhguara, për shkak të layout-it të papërshtatshëm ose ndërhyrjes së vëzhguesve.
• Grup-votim dhe votim me prokurë të shpeshtë, duke minuar parimin e votës individuale dhe të fshehtë.
• Rreth 50% e qendrave janë konstatuar të papërshtatshme për personat me aftësi të kufizuara, duke kufizuar të drejtën e tyre për pjesëmarrje të barabartë.
• Janë raportuar incidente intimidimi dhe raste të shumta të blerjes së votës, të cilat kanë ndikuar në klimën e përgjithshme të zgjedhjeve.
Numërimi dhe Rezultatet
• Procesi i numërimit është zhvilluar në një atmosferë kaotike në disa qendra, me tensione dhe ndërhyrje nga vëzhguesit partiakë.
• Janë konstatuar mospërputhje mes protokolleve manuale dhe rezultateve digjitale, duke ngritur dyshime për saktësinë e rezultateve përfundimtare.
• Vëzhguesit e OSBE-së theksojnë se transparenca dhe qetësia e procesit të numërimit janë cënuar ndjeshëm nga mungesa e profesionalizmit dhe ndikimet politike.”, shkroi Bozdo.
