Nga ELIONA KODRA*

Kryekomunari i Bërdicës, Besnik Brahimi, është i pari i zgjedhur lokal në qarkun e Shkodrës që ka dalë hapur në mbështetje të deputetit Tom Doshi dhe akuzave të tij drejtuar qeverisë dhe Kryeministrit Rama.

Brahimi ka shprehur mbështetje të plotë për deputetin e Shkodrës, ndërsa ka theksuar, duke folur dhe në emër të Bërdicës, se kjo qeveri i ka mashtruar.

“Këtu akoma nuk ka ardhur njeri për të vënë një lopatë asfalt, – tha Brahimi. – Erdhi koha në 2013-ën dhe komuniteti priti, se ne i kemi premtuar, por i kemi premtuar prej qeverisë mashtruese që është sot në fuqi. Na kanë mashtruar, se ta kisha ditur, s’i kisha dhënë asnjë votë. Dhe asnjë votë nuk do të ketë më kjo qeveri në Bërdicë nëse vazhdon kështu.

Ne duam më shumë njeri-tjetrin sesa atë që na ka zhgënjyer, Kryeministrin Edi Rama. Kurse për deklaratat e Tom Doshit, jo që jemi – ai është shok, bashkafshatar, lindur e rritur, vëllai ynë, miku ynë, tërë jetën këtu – por po të mos ishte Tom Doshi në këtë komunë, nuk kishin shanse për të marrë asnjë votë. Njerëzit këtu mezi presin t’i dalin kundër kësaj qeverie të pabesë,” ka deklaruar ai.

Ky reagim ka ardhur pas debatit që ka ngjallur sot, deklarata e deputetit të PS-së Tom Doshi se “lufta ime me Edi Ramën sapo ka filluar.” Kjo “luftë” ka nisur pas akuzave që Doshi lëshoi në Grupin e PS-së ndaj disa ministrave dhe drejtorëve dhe nevojës për t’i larguar nga kabineti qeveritar; sipas tij,qeveria nuk i ka mbajtur premtimet dhe korrupsioni dhe ekonomia janë më keq se në kohën e Berishës.

(ar.sh/News24/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb