“Brenda listave të PS ka rivalitet, por jo luftë të egër brenda llojit”. Kështu ka deklaruar kryetarja e Kuvendi dhe drejtuesja politike e PS për Tiranën, Elisa Spiropali, në emisionin “Kjo Javë” në News24. Ajo ka shtuar se PS funksionon si një ekip që pavarësisht përpjekjeve për të thithur sa më shumë individualitete, punohet që të maksimizohet vota për Partinë Socialiste.

“Sistem që e ka të pashmangshëm rivalitetin brenda listave por ne ia dalë të bëjmë një fushatë që ka mbizotërues frymën e ekipit ku çdo kandidat maksimizon votën për PS. Nuk shoh luftë të egër brenda llojit por rivalitet të natyrshëm. Lëvizim në takime si një ekip ku shpalosim rëndësinë e këtyre zgjedhjeve, sepse nuk janë zgjedhjet e radhës, por kanë rëndësi vendimtarë për të ardhmen e vendit dhe perspektivën e anëtarësimit. Duam që procesi të hyjë në një rrugë pa kthim dhe 11 maji do të jetë kurorëzim i përpjekjeve të shumë viteve, aspiratave të shumë brezave”, tha ajo.

Sa i përket vendimit për të mos bërë debate televizive me opozitën, edhe pse eksponentë të saj përfshirë kreun e PD Sali Berisha e kanë kërkuar në vijimësi një gjë të tillë, Spiropali u shpreh se është parë i panevojshëm.

Sipas saj, nuk ka asnjë arsye pse socialistët të përballen me gjuhën e përdorur shpesh nga opozitarët edhe në Kuvend, kur janë intervistat televizive apo përballjet me gazetarët për të shpalosur programin e PS dhe atë që kjo qeveri ka bërë gjatë mandateve.

“Shansin për të bërë debate alternativash e kanë pasur vijimësisht edhe në Kuvend. Periudhat e konfliktit politik kanë dominuar mbi debatin konstruktiv. Nëse vini re gjuhën e përdorur I cili çuditërisht nuk vihet re nga analistët politikë, t’i thuash kundërshtarit politike kriminel, hajdut e batakçi nga mëngjesi në darkë, nuk është të bësh debat politik apo të shpalosësh programin tënd. Nuk është mënyra si një politikë moderne demokratike shpalos alternativat. Kuvendi ishte shembulli ku këto periudha dominuan mbi debatin. Ndaj nuk ka arsye pse të angazhohemi në një debat me këtë gjuhë, kemi mundësi që në intervista e përballje me gazetarët të shpalosim ç’kemi bërë dhe programin tonë”, tha ajo.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb