TIRANE- Detaje të tjera janë zbuluar lidhur me përplasjen me armë të ndodhur mesnatën e kaluar në zonën e “Kinostudios” në kryeqytet. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për “BalkanWeb” se objektiv i përplasjes kanë qenë dy vëllezërit Rivelino Mumajesi, 36 vjeç, dhe Juxhin Mumajesi, 24 vjeç.

Të dy këta persona ndodhen në spitalin e Traumës në Tiranë jashtë rrezikut për jetën, ndërsa i plagosuri i tretë Ibrahim Durollari, 28 vjeç, po i nënshtrohet një ndërhyrje kirurgjikale.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 23:54 në rrugën “Aleksandër Moisiu”, dhe dyshohet se shkak kanë qenë konfliktet për ndarjen e territoreve të shpërndarjes së drogës, mes dy grupeve rivale.

Mësohet se konflikti fillimisht ka nisur në një lokal bastesh, e më pas ka vazhduar në rrugën “Aleksandër Moisiu”, duke lënë në vendngjarje rreth 20 gëzhoja.

Deri më tani unifromat blu kanë ushtruar kontroll në banesat e disa prej të dyshuarve si autorë. Sakaq, po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe për zbardhjen e shkakut dhe rrethanave të ngjarjes.

INFORMACIONI I POLICISE
Më datë 28.06.2018, rreth orës 23:54 në rrugën “Aleksandër Moisiu”, kanë mbetur të plagosur me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar, shtetasit J. M., 24 vjeç, R. M., 36 vjeç dhe I. D., 28 vjeç.

Shtetasit e dëmtuar aktualisht ndodhen në spital ku po marrin ndihmë mjekësore (dy nga të dëmtuarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa një në gjëndje më të rëndë shëndetësore).

Po punohet identifikimin dhe kapjen e autorëve dhe për zbardhjen e shkakut dhe rrethanave të ngjarjes.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb