Kryeministri britanik, Boris Johnson do të shprehet sot për zhvillim e pandemisë së koronavirusit të ri në Britaninë e Madhe, një rikufizim në Angli që prej javës së ardhshme bën pjesë mes mundësive të parashikuara nga qeveria.

Kryeministri konservator do të shprehet në fund të pasdites në një konferencë shtypi në Downing Street përkrah këshilltarëve shkencorë dhe mjekësorë, pasi ka diskutuar më parë në lidhje me situatën me video konferencë me ministrat e tij.

Sipas “Times”, Boris Johnson po parashikon një rikufizim duke nisur nga e mërkura deri më 1 dhjetor në Angli, ku virusi po përhapet me shpejtësi. Bizneset jo thelbësore do të mbyllen, por çerdhet, shkollat ​​dhe universitetet do të qëndrojnë të hapura, sipas të përditshmes.

Pub-et dhe restorantet do të mbyllen për disa javë, duke i dhënë një goditje të rëndë industrisë, tashmë të prekur nga pandemia.

Sipas “Daily Mail”, drejtuesi konservator është shtyrë nga këshilltarët shkencorë të reagojë për të frenuar pandeminë dhe për të lejuar familjet të bashkohen për Krishtlindje.

Pandemia tashmë ka shkaktuar vdekjen e të paktën 46 000 personave në Britaninë e Madhe, vendi më i prekur në Europë, që është në prag të tejkalimit të një milionë rasteve.

Një rikufizim do të ishte një kthesë për drejtuesin konservator, i cili deri më tani u ka rezistuar thirrjeve për të rikufizuar Anglinë edhe për një periudhë të shkurtër prej dy deri në tre javë, siç ka sugjeruar partia opozitare laburiste.

Nëse Boris Johnson njofton një rikufizim, Anglia do të ndjekë gjithashtu Francën, rikufizuar deri më 1 dhjetor.

Belgjika njoftoi dje një kufizim më të ashpër dhe Gjermania gjithashtu ka ashpërsuar kufizimet në vend për të ngadalësuar pandeminë.//ATSH

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb