Britania dhe Franca janë përsëri në mosmarrëveshje për të drejtat e peshkimit në Kanalin Anglez, përplasja e fundit pas Brexit-it midis dy vendeve.

Një ditë pasi Britania njoftoi se ka miratuar vetëm 12 nga 47 aplikime për licenca të reja për anije të vogla franceze për të peshkuar në ujërat e saj territoriale, autoritetet në ishullin Jersey refuzuan kërkesat për licencë nga 75 anije franceze për të operuar në ujërat e saj.

Jersey, që është vetëm 14 milje (22 kilometra) larg bregdetit francez, është në varësi të Kurorës Britanike jashtë Britanisë. Si e tillë, ajo ka pushtetin e vet në lidhje me atë së kë lejon të peshkojë në ujërat e saj territoriale.

Refuzimet e licencës shkaktuan zemërim nga autoritetet franceze.

“Këto vendime janë krejtësisht të papranueshme”, deklaroi zëdhënësi i qeverisë franceze Gabriel Attal, duke paralajmëruar “masa hakmarrëse” të mundshme nga 27 vendet e Bashkimit Evropian. Attal tha se kufizimet janë në kundërshtim me marrëveshjen pas Brexit-it që u nënshkrua midis Britanisë dhe BE-së.

Ministrja e Detarisë e Francës, Annick Girardin, thirri një takim me përfaqësuesit e peshkimit të mërkurën për të përgatitur një përgjigje.

“Peshkimi francez nuk duhet të merret peng nga britanikët për qëllime politike”, tha ajo.

Që nga largimi i Britanisë nga orbita ekonomike e BE-së në fillim të vitit, marrëdhëniet midis Londrës dhe Parisit janë bërë gjithnjë e më të brishta.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb