Britania i bëri thirrje Izraelit të tërheqë vendimin e tij për të zgjeruar kontrollin mbi Bregun Perëndimor , me Londrën që iu bashkua Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe në denoncimin e vendimit.
“Mbretëria e Bashkuar dënon fuqimisht vendimin e djeshëm të Këshillit të Sigurisë Izraelite për të zgjeruar kontrollin izraelit mbi Bregun Perëndimor”, tha Downing Street. Kritikët e vendimit kanë thënë se lëvizja e Izraelit për të lehtësuar zgjerimin e vendbanimeve dhe për të zgjeruar fuqitë e tij në Bregun Perëndimor përbën aneksim të territorit të pushtuar. Ndryshimet e mëdha të propozuara në tokë, kontroll dhe fuqi administrative në Bregun Perëndimor do të minonin përpjekjet për të promovuar paqen dhe stabilitetin.
“Çdo përpjekje e njëanshme për të ndryshuar përbërjen gjeografike ose demografike të Palestinës është plotësisht e papranueshme dhe do të ishte e papajtueshme me të drejtën ndërkombëtare. Ne i bëjmë thirrje Izraelit që të tërheqë menjëherë këto vendime”, shtoi qeveria britanike.
Më parë, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, shprehu “shqetësim të thellë” në lidhje me masat e shpallura së fundmi nga Izraeli për të forcuar kontrollin e tij mbi Rripin e Gazës, tha sot zëdhënësi i tij.
Shefi i OKB-së “paralajmëron se situata aktuale, përfshirë këtë vendim, minon perspektivën e një zgjidhjeje me dy shtete”, tha Stephane Dujarric.
Masat e reja izraelite për Bregun Perëndimor të shpallura gjatë fundjavës – duke përfshirë shitje më të lehta të tokës për kolonët, kontroll të vendeve fetare – dhe të denoncuara ndërkombëtarisht, rrezikojnë përshpejtimin e aneksimit të territorit të pushtuar, duke e bërë më të lehtë për kolonët të blejnë tokë dhe duke e shtyrë popullsinë palestineze të përqendrohet në enklava urbane, sipas analistëve. Teksti i plotë nuk është bërë publik, por disa nga masat janë shpallur përmes njoftimeve. Data e saktë e zbatimit të masave është e panjohur, por ato nuk kërkojnë miratim nga ndonjë organ tjetër.
Rreziku i enklavave palestineze.
Masat gjithashtu do të forcojnë kontrollin e Izraelit mbi pjesë të Bregut Perëndimor ku Autoriteti Palestinez, me seli në Ramallah, ushtron pushtet.
Sipas Marrëveshjeve të Oslos, Bregu Perëndimor është i ndarë në Zonat A, B dhe C – nën kontrollin palestinez, të përbashkët dhe izraelit përkatësisht.
Sipas një deklarate qeveritare, masat e reja do të zgjerojnë autoritetin izraelit mbi këto zona për të luftuar “shkeljet që lidhen me ujin, dëmtimin e vendeve arkeologjike dhe ndikimet mjedisore që ndotin të gjithë zonën”.
Për Fathi Nimer, një specialist në qendrën kërkimore palestineze Al-Shakaba, kjo deklaratë “tmerrësisht e paqartë” rrezikon të përdoret si bazë për zhvendosjen e palestinezëve.
“Ajo që ata duan është t’i shtyjnë palestinezët në copa të vogla toke, përgjithësisht në qytetet e mëdha, në enklava”, shton politologu Ali Jarbawi.
“Izraeli po promovon aneksimin, është diçka që e kemi vëzhguar për tre vjet, por ajo që është gjithashtu e rëndësishme në këtë rast është se Izraeli ka vendosur gjithashtu të dobësojë Autoritetin Palestinez”, nënvizon Jonathan Mizrashi i lëvizjes izraelite kundër vendbanimeve Paqe Tani.
