Qeveria britanike ka dërguar së fundmi raketa të reja Storm Shadow në Ukrainë për të vazhduar sulmet ndaj objektivave brenda territorit rus.

Sipas burimeve britanike duke cituar burime të njohura me çështjen, sasia e saktë e raketave nuk është bërë publike, por dërgesa është bërë për të siguruar që Ukraina të ketë rezervat e nevojshme gjatë dimrit, periudhë gjatë së cilës Londra shqetësohet se Moska mund të intensifikojë sulmet ndaj civilëve ukrainas.

Ndërkohë që shtohet presioni i sanksioneve ndaj Rusisë, Britania dhe aleatët e saj përpiqen të tregojnë Moskës se mbështetja perëndimore për Ukrainën do të qëndrojë më gjatë se sa ekonomia ruse mund të mbajë makinën e luftës të Vladimir Putinit.

Kjo lëvizje e Britanisë vjen pas refuzimit të presidentit amerikan Donald Trump për të dërguar raketa Tomahawk amerikane në Ukrainë.
“Mund të ndodhë në të ardhmen, mund të ndryshoj mendim, por për momentin jo,” u shpreh Trump për gazetarët kur u pyet nëse Shtëpia e Bardhë mund t’i furnizojë Tomahawk Kievin.

Raketat Storm Shadow kanë ndihmuar forcat ukrainase të kryejnë sulme brenda territorit rus. Muajin e kaluar, ato goditën një fabrikë kimike.
“U realizua një sulm masiv i kombinuar ajror dhe raketor, përfshirë përdorimin e raketave Storm Shadow të hedhura nga ajri, të cilat depërtuan me sukses sistemin rus të mbrojtjes ajrore,” njoftoi në rrjetet sociale Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës në tetor.
Storm Shadow janë raketa precize të hedhura nga ajri, me rreze mbi 250 kilometra.

Ato fluturojnë afër tokës me shpejtësi të lartë duke përdorur kombinimin e navigimit inercial me GPS dhe navigimin e bazuar në referencat e terrenit, sipas MBDA, prodhuesit të tyre.

Qeveria britanike nuk ka bërë publike sasinë totale të raketave Storm Shadow që ka dhënë Ukrainës gjatë luftës dhe nuk njofton rregullisht dërgesat.

Së fundmi, kryeministri britanik Keir Starmer tha se perspektivat për Ukrainën po përmirësohen pas sanksioneve të vendosura nga administrata Trump ndaj naftës ruse, një tregues i kujdesshëm i optimizmit të aleatëve perëndimorë të Kievit se ashpërsimi i qëndrimit amerikan mund të dobësojë aftësinë e Moskës për të vijuar luftën.
“Jemi në një pozicion më të mirë,” deklaroi Starmer në një intervistë për Bloomberg, duke përshëndetur sanksionet amerikane ndaj kompanive ruse të naftës si “zhvillime të rëndësishme”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb