Bruce Blakeman, kandidat për guvernator të New York-ut dhe bashkëpunëtor i afërt i Donald Trump, ka folur për komunitetin shqiptaro-amerikan dhe planet e tij për të forcuar lidhjet mes New York-ut dhe Shqipërisë.
Në një intervistë për emisionin “Prime News24” në News24, Blakeman u shpreh se shqiptarët janë një komunitet punëtor, që ka dhënë kontribut në jetën ekonomike dhe shoqërore të SHBA-së.
Ai theksoi se synon të mbështesë shqiptarët dhe bizneset e tyre, duke krijuar mundësi të reja ekonomike dhe duke nxitur bashkëpunimin me Shqipërinë.
“Kam shumë miq shqiptaro-amerikanë. Shqiptarët janë popull punëtor, duan një jetë më të mirë, vende të mira pune, taksa më të ulëta, siguri dhe arsim më të mirë për fëmijët. Shqiptaro-amerikanët kanë kontribuar në shtetin tonë dhe unë do t’i mbështes”, u shpreh Blakeman.
Ai shtoi se shqiptarët janë të përkushtuar ndaj familjes dhe se, sipas tij, komuniteti meriton një drejtues që kujdeset për interesat e tyre dhe të brezave të ardhshëm.
I pyetur për mënyrën se si mund të forcohen lidhjet mes New York-ut dhe Shqipërisë, Blakeman deklaroi se do të mbështeste marrëveshjet kulturore dhe tregtare mes dy vendeve.
“Do të krijoja marrëveshje miqësie kulturore dhe marrëveshje tregtare me Shqipërinë. Ne duhet të krijojmë biznese të reja në New York. Shqipëria është një vend mik i Amerikës dhe do të mbështesim gjërat që janë të mira si për Shqipërinë, ashtu edhe për amerikanët”, deklaroi ai.
Blakman foli gjithashtu për politikat e emigracionit, duke theksuar se mbështet largimin e emigrantëve me të dhëna kriminale, ndërsa për emigrantët pa dokumentacion të rregullt që nuk janë përfshirë në krime, tha se duhet të ekzistojë mundësia për të jetuar dhe punuar në SHBA.
