BRUKSEL- Autoritetet greke dhe kreditorët e saj ndërkombëtarë filluan sot punën rreth aspekteve teknike të një programi të ri ndihme shumëmiliardëshe. Bisedimet kanë si synim hartimin e një pakete të re shpëtimi prej 86 miliardë eurosh (94 miliardë dollarë) për Greqinë, në prag falimentimi, e treta kjo në pesë vite. Të dyja palët duhet të bien dakord për progresin ekonomik që Athina do të duhet të arrijë në këmbim të ndihmës.
Greqia ka lajmëruar se ka për qëllim të përfundojë negociatat me kreditorët e saj për programin e ri të ndihmës deri më 18 gusht, dy ditë para afatit për pagimin e shumës prej 3,2 miliardë eurosh Bankës Qendrore Evropiane.
“Është në interes të të dyja palëve që negociatat të zhvillohen në një ritëm të shpejtë dhe të përfshihen nga afatet”, deklaroi zëvendësdrejtori i Departamentit Evropian të Fondit Monetar Ndërkombëtar, Mahmood Pradhan në një konferencë për shtyp.
FMN-ja, që është pjesë e programit të ndihmës, me anë të një raporti të lëshuar sot paralajmëroi se situata në Greqi mbetet “burim kryesor i pasigurisë” për zonën euro megjithëse blloku i monedhës euro është i përgatitur për rreziqe që mund të vijnë nga kjo.
”Ekipi teknik i ardhur nga institucioni akreditues do të fillojë punën sot në Athinë për raportimin e zhvillimeve të fundit”, deklaroi një zëdhënëse e FMN-së.
“Ekipe nga institucione akredituese kanë mbërritur tashmë në Athinë dhe në këto moment që ne flasim janë duke punuar”, shtoi zëdhënësja e Komisionit Evropian, Mina Andreeva.
Disa negociatorë të nivelit të lartë janë rrugës për në kryeqytetin grek. “Të gjithë shefat e misioneve duhet të jenë në Athinë deri të mërkurën”, tha ajo. Fillimi i negociatave është vonuar për arsye logjistike, si për shembull vendi se ku do zhvillohen bisedimet. Një burim në Bruksel tha se kreditorët janë garantuar se do kenë akses në ministritë greke dhe në të dhënat e secilës prej tyre.
Andreeva theksoi reforma të mëtejshme nga Athina do t’u vinin në ndihmë negociatave. Parlamenti grek deri tani ka miratuar dy paketa reformash të kërkuara nga vendet e zonës euro. Ndërkohë, partitë politike në Athinë kërkuan shpjegime sot pas raportimeve në media se ish-ministri i Financave, Janis Varufaqis kishte plane sekrete për një sistem bankar paralel në rast të daljes së Greqisë nga zona euro.
Varufaqis pretendon se ka qenë i autorizuar nga kryeministri, Aleksis Cipras, në dhjetor, që të ekzaminonte një sistem të tillë paralel pagesash, raporton “Kathimerini” por që nuk mori aprovimin përfundimtar. Një muaj më vonë, partia e majtë e Cipras, SYRIZA fitoi zgjedhjet parlamentare.
(m.k/BalkanWeb)
