Banka e Shqipërisë ka përgatitur disa ndryshime rregullatore, që synojnë të adresojnë problemet e transparencës në tarifat e këmbimit të monedhës të lidhura me transaksionet me kartë.

Ndryshimet në projektrregulloren “Për krahasueshmërinë e tarifave të lidhura me llogaritë e pagesave dhe për shërbimin e transferimit të llogarive të pagesave”, përcaktojnë se ofruesit e shërbimeve të pagesave dhe palët që ofrojnë shërbime të këmbimit të monedhës në një ATM ose në pikën e shitjes (POS), duhet të shprehin një vlerë në përqindje (mark-up) që tregon, sa ndryshon kursi i aplikuar mbi kursin e këmbimit më të fundit të disponueshëm, të publikuar nga Banka e Shqipërisë. Kjo përqindje (mark-up) duhet t’i njoftohet paguesit para inicimit të transaksionit të pagesës.

Kjo përqindje (mark-up) duhet t’i shfaqet paguesit para inicimit të transaksionit të pagesës.

Operatorët e pagesave duhet ta publikojnë përqindjen në një mënyrë të kuptueshme dhe lehtësisht të aksesueshme, në një platformë elektronike.

Përveç informacionit të mësipërm, çdo palë që ofron shërbimin e këmbimit të monedhës në një ATM ose në pikën e shitjes (POS) duhet t’i sigurojë paguesit, para inicimit të transaksionit të pagesës informacion për shumën që do t’i paguhet përfituesit në monedhën e përdorur prej tij dhe shumën që do të paguhet nga paguesi në monedhën e llogarisë së tij.

Çdo palë që ofron shërbimin e këmbimit të monedhës në një ATM ose në POS duhet ta shfaqë qartë informacionin në pajisjen përkatëse.

Përpara inicimit të transaksionit të pagesës, kjo palë duhet të informojë paguesin mbi mundësinë e kryerjes së pagesës në monedhën e përdorur nga përfituesi, dhe në vazhdim, kryerjen e këmbimit të monedhës nga operatori i shërbimit të paguesit. Informacioni i mësipërm duhet, gjithashtu, t’i vihet në dispozicion paguesit me një mjet të qëndrueshëm komunikimi, pas inicimit të transaksionit të pagesës.

Ofruesi i shërbimeve të pagesave të paguesit, duhet t’i dërgojë paguesit, pa vonesa të panevojshme, një mesazh elektronik për çdo kartë pagese që i është lëshuar paguesit prej tij dhe që është e lidhur me të njëjtën llogari, pasi ofruesi i shërbimeve të pagesave të paguesit

të ketë marrë një urdhër pagese për tërheqje fondesh në një ATM, ose për një pagesë në pikën e shitjes (POS), e cila është e denominuar në Lek, monedhë e ndryshme nga monedha e llogarisë së paguesit.

Pavarësisht detyrimit të mësipërm, një mesazh i tillë duhet të dërgohet një herë në muaj kur ofruesi i shërbimeve të pagesave të paguesit merr një urdhër pagese të denominuar në Lek, nga paguesi.

Ofruesi i shërbimeve të pagesave duhet të bjerë dakord me përdoruesin e shërbimeve të pagesave mbi kanalin ose kanalet e komunikimit elektronik gjerësisht të disponueshëm dhe lehtësisht të aksesueshëm, përmes të cilave ofruesi i shërbimeve të pagesave do të dërgojë mesazhet elektronike. Informacioni i mësipërm duhet të ofrohet falas.

Kur shërbimi i këmbimit të monedhës ofrohet nga OSHP-ja e paguesit në lidhje me një transfertë krediti, cila iniciohet direkt nëpërmjet internetit (online), duke përdorur faqen e internetit ose aplikacionin përkatëse të OSHP-së, kjo e fundit duhet të informojë paguesin, para inicimit të transaksionit të pagesës, në mënyrë të qartë mbi tarifat e përllogaritura për shërbimin e këmbimit të monedhës të lidhur me transfertën e kreditit.

Para inicimit të transaksionit të pagesës, OSHP-ja duhet t’i komunikojë paguesit, në mënyrë të qartë, të paanshme dhe të kuptueshme, shumën totale të transfertës të kreditit të përllogaritur, në monedhën e llogarisë së paguesit, duke përfshirë çdo tarifë të lidhur me transaksionin dhe çdo tarifë të këmbimit të monedhës. OSHP-ja duhet, gjithashtu, të komunikojë shumën e përllogaritur që do t’i transferohet përfituesit, në monedhën e përdorur nga përfituesi.

Kostot e larta, veçanërisht për tërheqjet cash në ATM nga zotëruesit e kartave të lëshuara nga institucione të huaja financiare, janë bërë objekt pakënaqësie nga turistët e huaj ose shtetasit shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe përdorin kartat e tyre bankare për të tërhequr para në Shqipëri.

Madje, vitin e kaluar edhe Autoriteti i Konkurrencës i ka rekomanduar Bankës së Shqipërisë të kontrollojë metodologjinë për llogaritjen e komisioneve për tërheqjet në bankomate, si dhe për kartëmbajtësit vendas ashtu edhe për ata të huaj, duke përfshirë edhe përqindjen (mark-up) për shërbimin e Këmbimit Dinamik të Valutës (DÇ), nëse praktikat e ndjekura nga bankat janë në përputhje me aktet rregullatore në fuqi.

Fillimisht, Banka e Shqipërisë pati hartuar një projektrregullore të posaçme për të adresuar këto ndryshime (“Mbi tarifat e pagesave ndërkufitare në zonën SEPA dhe kushtet e transparencës”), por pas konsultimeve ka vendosur që ndryshimet e mësipërme t’i integrojë në rregulloren “Për krahasueshmërinë e tarifave të lidhura me llogaritë e pagesave dhe për shërbimin e transferimit të llogarive të pagesave”

Megjithëse Banka e Shqipërisë propozon të vendosë detyrime eksplicite rregullatore të transparencës të lidhur me kursin ë këmbimit të përdorur në tërheqjet automatike, ekspertët e sektorit bankar thonë se rregulla të transperencës lidhur me këto shërbime ekzistojnë edhe tani. Operatorët e skemave globale të kartave, si Visa apo Mastercard, aplikojnë detyrime transparence për kostot e tërheqjeve në ATM. Komisionet dhe kostot e tjera duhet t’i shfaqen qartë klientit në ATM dhe paraqitja e tyre verifikohet dhe aprovohet prej operatorëve të mësipërm./ Monitor

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb