Deputeti i Partisë Demokratike, Bujar Leskaj, ka reaguar përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me deklaratat e kryeministrit Edi Rama ndaj televizionit News24.

Leskaj i cilëson sulmet ndaj medias kritike ndaj qeverisë si një shqetësim për lirinë e informimit dhe funksionimin e demokracisë në vend. Ai ndalet te mbulimi mediatik i protestës studentore, duke vlerësuar rolin e News24 në pasqyrimin e ngjarjeve dhe raportimin nga terreni.

Sipas deputetit demokrat, përplasjet mes kryeministrit dhe mediave nuk duhet të kthehen në presion ndaj gazetarëve për shkak të raportimit të tyre.

Në reagimin e tij, Leskaj thekson se liria e medias është një e drejtë e qytetarëve dhe se mediat e pavarura duhet të vijojnë të informojnë publikun pa u ndikuar nga pushteti.

Postimi i deputetit Bujar Leskaj

𝗥𝗮𝗺𝗮, 𝗮𝘂𝘁𝗼𝗸𝗿𝗮𝘁𝗶 𝗾𝗲 𝘂𝗿𝗿𝗲𝗻 𝗡𝗲𝘄𝘀 𝟮𝟰 𝗱𝗵𝗲 𝗺𝗲𝗱𝗶𝗮𝗻 𝗲 𝗽𝗮𝘃𝗮𝗿𝘂𝗿!

Sulmet e egra ndaj mediave të pavarura të drejtuesit të sektit në qeverisje, që e ka çuar Shqipërinë në pragun e një lufte civile me mos-dorëheqjen e tij, nuk janë thjesht një përplasje mes kryeministrit dhe gazetarëve.

Ato ngrenë një çështje themelore për demokracinë shqiptare: a e pranon autokrati Rama të drejtën e mediave për të raportuar në mënyrë të pavarur, edhe kur ajo që transmetojnë bie ndesh me interesat dhe narrativën e qeverisë?

Deklaratat dhe sulmet e shëmtuara publike të Edi Ramës më 18 dhe 19 tetor 2026, të drejtuara ndaj mediave të pavarura dhe veçanërisht ndaj televizionit Neës 24, synojnë të diskreditojnë raportimin e tyre për protestën studentore. Rama harron se liria e medias nuk testohet kur gazetarët përsërisin atë që thotë qeveria, por kur raportojnë ngjarje, pakënaqësi dhe protesta që pushteti do të preferonte t’i kontrollonte politikisht. Dhe televizioni Neës 24, së bashku me Syri TV janë të vetmit televizione që e kanë mbuluar protestën qytetare paqësore 135 ditë rradhazi, kurse .

  1. Pse shkumbëzon sot Rama ndaj medias kritike?

Në një demokraci funksionale, kryeministri mund të kundërshtojë një lajm, të kërkojë korrigjimin e një pasaktësie dhe të paraqesë publikisht versionin e tij të ngjarjeve. Por ai ka gjithashtu një përgjegjësi që buron nga vetë funksioni i tij: të mos përdorë peshën e pushtetit për të intimiduar gazetarët, për të nxitur armiqësi ndaj mediave kritike apo për të krijuar përshtypjen se raportimi i pavarur është një akt armiqësor ndaj shtetit.

Dallimi është thelbësor. Kritika ndaj një lajmi është pjesë e debatit publik. Fushata e delegjitimimit të një televizioni dhe një redaksie, për shkak se ajo transmeton pamje ose qëndrime të papërshtatshme për qeverinë, me Ramën është shndërruar në hakmarrje primitive ndaj biznesit të sipërmarrësit (ka arritur deri edhe sa t’i hedhë në erë një pjesë të tij), i cili  financon këtë medie dhe boton gazetën e njohur “Panorama”. E gjitha kjo përbën një presion të egër politik mbi të drejtën e qytetarëve për t’u informuar.

Rama pardje dhe dje nuk kundërshtoi pasaktësi konkrete në raportimin mediatik, me fakte dhe argument. Ai vetëm sa i paraqiti mediat kritike si pjesë të një komploti politik, vetëm sepse ato nuk pasqyrojnë protestën sipas interpretimit të tij.

Televizioni Neës 24 dhe e drejta për të pasqyruar protestën studentore

Protesta studentore është një ngjarje me rëndësi publike. Qytetarët kanë të drejtë të dinë kush proteston, për çfarë proteston, cilat janë kërkesat e studentëve, si reagon qeveria dhe si veprojnë institucionet e rendit.

Media e pavarur nuk mund të reduktohet në një zëdhënëse të qeverisë dhe as në një tribunë të opozitës. Detyra e saj është të informojë, të verifikojë, të krahasojë versionet dhe t’i japë publikut mundësinë të krijojë gjykimin e vet.

Këtë e ka realizuar me sukses dhe profesionalizëm Televizioni  Neës 24, me gazetaret dhe gazetarët kurajozë në terren, ku veçoj këtu gazetarin Osman Stafa, me denoncimet e tij për korrupsionin në shëndetësinë publike, veçanërisht në Spitalin Onkologjik, por edhe me pjesëmarrjen në protestë, krahas gazetarëve të tjerë. Dua të veçoj edhe emisionet mjaft të ndjekura si “Kjo javë” dhe “Prime Neës24” të moderators Nisida Tufa, “Koha për t’u zgjuar” me moderator Renaldo Salianji, “Në shënjestër” me gazetaren investigative Klodiana Lala dhe shumë emisione të tjera.

Televizioni Neës 24 u godit edhe për mjediset e tij, për t’i lënë fushë të hapur abuzimeve në Ministrinë e Mbrojtjes me kompanine famëkeqe KAYO.

Media e lirë nuk është ajo që i bën qejfin pushtetit, por ajo që përgjigjet publikut dhe fakteve.

III. Rreziku i retorikës së një autokrati

Kur një kryeministër i trajton vazhdimisht zërat kritikë si armiq, kur e paraqet gazetarinë e pavarur si pengesë për qeverisjen dhe kur e zhvendos debatin nga përmbajtja e raportimit të protestës studentore, tek sulmi ndaj atyre që raportojnë dhe botuesit e financuesit të tyre, krijohet një klimë e rrezikshme për demokracinë.

Në këto ditë kur represioni policor mbi studentët protestues është dukshëm në tejkalim të lejimit të përdorimit të forcës nga ligji, sulmet personale ndaj botuesve dhe sipërmarrësve të televizioneve të pavarura, kërcënimet me gjueti fiskale shtrigash dhe përgjithësimet denigruese ndaj mediave prodhojnë një efekt frikësues. Këtë shpreson edhe Rama, që t’u mbyllë gojën dhe t’i detyrojë të autocensurohen mediat kritike ndaj tij. Por e ka të kotë.

Në reagimin e tij publik ndaj sulmeve të egra të Ramës, botuesi i gazetës “Panorama” dhe sipërmarrësi i televizionit Neës 24, Irfan Hysenbelliu cilësonte se “Kur pushteti të sulmon për qëndrimin që mban në krah të qytetarëve, kjo nuk është arsye për t’u tërhequr, por për të qëndruar edhe më fort. Ne nuk na trembi tritoli, aq më pak do të na trembin deklaratat kërcënuese!”.

Pse sulmet ndaj medias janë edhe sulme ndaj qytetarëve

Liria e medias nuk është privilegj i gazetarëve dhe as interes tregtar i pronarëve të televizioneve. Ajo është një e drejtë që u përket qytetarëve.

Kur një media pengohet të raportojë, humb qytetari që nuk merr informacion të plotë. Kur një redaksi frikësohet nga reagimi i pushtetit, humbet publiku që ka nevojë të dëgjojë pyetje kritike dhe raportim kritik. Kur një protestë paraqitet vetëm sipas versionit zyrtar, qytetarët rrezikojnë të mos kuptojnë arsyet e pakënaqësisë shoqërore.

Në rastin e protestës studentore, përgjegjësia e medias është të dokumentojë si kërkesat dhe shqetësimet e studentëve, ashtu edhe çdo akt dhune mbi ta. Qeveria nuk mund të vendosë se cilat pamje kanë të drejtë të shohin qytetarët dhe cilat pyetje kanë të drejtë të bëjnë gazetarët. Këtë rol nuk ia jep as mandati parlamentar dhe as shumica parlamentare.

Nuk është detyrë e kryeministrit të përcaktojë publikisht se cila media meriton të dëgjohet dhe cila duhet të izolohet politikisht. Ky është dallimi mes një qeverisjeje që respekton demokracinë dhe një qeverisjeje të korruptuar dhe autokratike si e Ramës, që e trajton kritikën si kërcënim ndaj pushtetit.

Protesta studentore nuk mund të kontrollohet duke sulmuar mediat. Një protestë nuk humbet legjitimitetin, sepse qeveria e kundërshton dhe denigron, duke sulmuar edhe mediat që me objektivitet e pasqyrojnë atë.

Ssa më e tensionuar të jetë situata politike, aq më e domosdoshme bëhet prania e mediave të pavarura, të afta të dokumentojnë ngjarjet, pa u diktuar nga interesat qeveritare. Sulmi i Ramës ndaj mediave nuk e zgjidh krizën politike. Ai rrezikon ta thellojë atë.

Fjala e lirë nuk është pronë e qeverisë. Shqipëria ka nevojë për më shumë pluralizëm, jo për më shumë intimidim. Një vend demokratik nuk provohet nga fakti se kryeministri mund të flasë pa pengesa. Provohet nga fakti se edhe gazetari që e kundërshton, studenti që proteston dhe qytetari që shpreh pakënaqësinë mund ta bëjnë këtë, pa frikë nga hakmarrja e verbër politike e qeverisjes.

Dhe këtë mediat e pavarura, me në krye televizionin Neës 24 po e bëjnë me kurajo dhe profesionalizëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb