Çmimi i bukës në vend, ndonëse jo në të gjitha furrat, ka pësuar një rritje ditët e fundit. Kjo gjë konfirmohet edhe nga qytetarët të cilët thonë se një bukë prej dy ditësh e kanë blerë me 10 lekë më shumë.

“Bleva unë sot nga 500 e kishin bere 600 në një vend tjetër 700. E bëjnë si duan ata jo si do populli. Pensionet kane 8 vjet qe nuk janë rritur janë rritur vetëm 70 lek të vjetra. Ilace marrin burrë e grua 50 mijë lek ku do hamë vetëm ngritje ka para nuk jepen”, tha qytetari.
Shkak për këtë është bërë shtrenjtimi i miellit dhe i produkteve të tjera si vaji apo margarina. Fakt ky që pohohet edhe nga vetë qytetarët.

“Na kanë thënë që është rritur çmimi i miellit kështu që reflektohet edhe tek ne. Vetë si qytetarë nuk është e lehtë ta përballojmë dhe nuk e di çfarë masash do marrë qeveria a do na rimbursojë”, u shpreh një qytetar tjetër.

Nisur nga situata ku çmimi i bukës është rritur nga disa njësi tregtare në mënyrë të menjëhershme dhe kur tregtarët e miellit kanë lajmëruar rritje të çmimit, Autoriteti i Konkurrencës paralajmëron kompanitë grosiste të importit të grurit dhe importit të prodhimit të miellit. Nga hetimi i një viti më parë ka rezultuar se 5 kompanitë e prodhimit në tregun e importit të grurit, prodhimit dhe tregtimit të miellit, këto ndërmarrje kanë bashkërenduar sjelljen duke caktuar çmimet e shitjes dhe duke kontrolluar prodhimin në tregun e miellit. Në vendimin e vitit të kaluar.

Autoriteti i Konkurrencës iu vendosi ndërmarrjeve të hetuara detyrimin të mos caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi, të mos kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet, të mos ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit, të raportojnë çdo 3 muaj pranë AK-së të dhëna mbi blerjet dhe shitjet në përmbushje të detyrimeve të dhëna sipas kësaj pike. Autoriteti konkurrencës kujton se ne periudhën njëvjeçare qe nga dalja e vendimit ky treg vazhdon te jete nen monitorim dhe se do merren masa për moszbatimin e rregullave për paracaktimin e çmimeve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: