Autoriteti i Konkurrencës ka njoftuar se ka nisur monitorimin e tregut të shitjes së bukës, pas raportimit të djeshëm të News24 dhe BalkanWeb në lidhje me njoftimin e ndërmarrjeve të prodhimit dhe shitjes së bukës në qytetin e Korçës, të cilat kanë lajmëruar të gjitha pikat e shitjes se çmimi i shitjes së bukës nga 120 lekë do të jetë 150 lekë, duke reflektuar një rritje të njëkohshme me mbi 25%.
Në zbatim të ligjit 9121/2003 “për mbrojtjen e konkurrencës” Autoriteti i Konkurrencës njofton se në mënyrë të menjëhershme po realizon kontrolle në terren me qëllim evidentimin nëse ky njoftim do të zbatohet nga ndërmarrjet dhe, mbi të gjitha, nëse kjo sjellje është abuzive e si rrjedhim në shkelje të ligjit nr.9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”.
AK thekson se ligji nr. 9121/2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës” ndalon të gjitha marrëveshjet të cilat kanë si objekt ose si pasojë pengimin, kufizimin ose shtrembërimin e konkurrencës në treg, veçanërisht marrëveshjet që caktojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi.
Po ashtu AK shtoi se shkelja e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës” përbën kundërvajtje administrative dhe sanksionohet me gjobë, në masën deri në 10 për qind të xhiros së vitit financiar paraardhës të ndërmarrjeve të përfshira në marrëveshje të paligjshme.
