NGA ENRIK MEHMETI

Bukuritë e Karaburunit janë të shumta dhe pas interesit të madh pas reportazhit të Gramës dhe Gjirit të Anglezit, gazetari Enrik Mehmeti është rikthyer për të pasqyruar disa pika të tjera mjaft tërheqëse të këtij gadishulli. Në këtë udhëtim, fokusi është tek bukuritë në Gjirin e Ariut, Dafinës, Shpellën e Pëllumbave dhe shpellën e famshme të Haxhi Aliut.

Peizazhi natyror i gërshetuar me atë historik, e bëjnë atë një reliev ku vizitori mund të befasohet pafundësisht. Bregdeti tepër i thyer, lëndinat e vogla që zbresin deri poshtë, afër vijës së ujit, gjiret e shumta dhe të fshehura, plazhet e virgjëra, janë disa prej elementëve që pothuajse nuk i gjen askund tjetër në bregdetin shqiptar.

Gadishulli formon një hark të madh e të butë, që i përngjan gishtit të madh të dorës, të shtrirë. Ai ndan gjirin detar të Vlorës nga Kanali i Otrantos dhe ka një gjatësi prej rreth 15 km, me një gjerësi që shkon deri në 4.5 km. Në skajin veriperëndimor të Karaburunit (në turqisht gjuha e zezë), ndodhet Kepi i Gjuhëzës, pika më perëndimore e Shqipërisë.

Në pjesën më të lartë të këtij masivi, ndodhen tre maja, ajo e Kores 826 metra mbi nivelin e detit, si dhe e Dafinës dhe Ilqes, respektivisht 732 dhe 687 metra. Pjesa perëndimore është shkëmbore dhe e copëzuar vertikalisht, me shpella, të çara, gjire e plazhe të vegjël.

Këtu gjenden plazhi i vogël i Dafinës, bregu i Bitrit, shpella e Panaisë. Përkundër kësaj, në pjesën lindore të gadishullit që shikon nga gjiri i Vlorës, bregdeti është më i formuar dhe më pak i thyer.

Masivi i Karaburunit, në tërësi është i varfër në bimësi, por i pasur në kullota. Në pjesën më të ulët dhe më të ngushtë të tij, ndodhet pllaja e Ravenës, një qendër blegtorale e njohur në jug të vendit, që shfrytëzohet nga banorët e fshatit Dukat për mbarështimin e të imtave. Nga pikëpamja gjeologjike, masivi i Karaburunit është i përbërë nga gëlqerorë të periudhës së paleogjenit, të cilët janë shfrytëzuar që në lashtësi për prodhimin e mermerit. Cilësia e këtij produkti dallon nga ai i zonave të tjera të Shqipërisë. Mungesa e bimësisë dhe e ujërave sipërfaqësore e kanë bërë gadishullin të pabanueshëm.

Këtë verë ky destinacion është kthyer në top-Listën e vendeve më të frekuentuara me një rritje mbi 200 përlind se vitet e kaluara nga grupe shoqërore apo familjare.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: