Kryeministri Edi Rama ka theksuar rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të pasurive natyrore të Shqipërisë, duke kërkuar që ato të kthehen në asete të vërteta për zhvillimin e turizmit.
Rama ka shprehur shqetësimin për ndotjen e plazheve dhe ka kërkuar një angazhim të shtuar nga autoritetet lokale dhe qeveritare për pastrimin e zonave bregdetare. Ai ka theksuar se plazhet duhet të jenë të pastra dhe se ndotësit më të mëdhenj janë ata që shpesh nuk respektojnë rregullat e pastrimit.
Kryeministri gjithashtu ka bërë thirrje për ndalimin e muzikës të shpërndarë në bitchbare dhe plazhet e populluara, duke nënvizuar nevojën për një turizëm më të qëndrueshëm dhe më të kultivuar.
Edi Rama: Bashkia Lezhë ka bërë të mundur që plazhet në atë zonë të jenë të pastra. Duhen ofruar më shumë shërbime publike në plazhe. Plazhet duhet të pastrohen. Nuk pastrohen dot plazhet, nëse paralelisht me ata që pastrojnë, ka edhe hedhës plehrash. Shqipet nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut, bëjnë selfie me këngën “O Shqipëria ime” dhe më pas hedhin plehrat. Jam i bindur se ndotësit më të mëdhenj janë ato që thyejnë karriget në stadium. Qeveria do angazhohet për të bërë trajtimin e mbetjeve në nivel kombëtar.
Tjetër element është edhe tallavaja e bitchbareve, që streson gjithë dynjanë. Ne do ndalojmë muzikë në bitchbare. Muzika do jetë në kohën kur bëhet plazh. Kush do të ofrojë muzikë mund të ndërtojë në zona të tjera, ku nuk është gjithë qyteti që duhet të dëgjojë jehonën. Hiret e Shqipërisë janë aseti më i madh që kemi e duhet ta ruajmë si sytë e ballit, luksi i Shqipërisë është bukuria dhe tradita e vet. Bukuritë e natyrës t’i kthejmë në asete. Kush do ketë restorante, kush do vërë një karrige, do të mbjellë edhe një pemë.
