Seanca e sotme e Kuvendit ishte shëmbëlltyrë e atyre të mëparshmeve me debate, tensione dhe përplasje mes mazhorancës dhe opozitës.

Sot u përplasën edhe zv/kryeministrja Belinda Balluku me deputetin e PD, Klevis Balliu. Ministrja e Infrastrukturës iu drejtua Balliut, teksa ky i fundit ndërhyri nga vendi, me fjalët: “Bukurosh, kur të drejtohem ty atëherë mund të përgjigjesh”. Numri dy i qeverisë mohoi akuzat e opozitës se zyrtarë të lartë shqiptarë, përfshirë edhe kryeministrin Edi Rama kanë marrë pjesë në Aruba në një takim me personazhe të botës së trafikut të drogës.

Replika e Balliut nuk vonoi. Ligjvënësi demokrat tha se zv/kryeministrja është bërë e bukur me paratë e shqiptarëve. “E para faleminderit për bukuroshin, por unë kështu kam lindur, kurse ty bukuroshe të bënë paratë e shqiptarëve. Do bëjë mirë të flisje se je e vetmja që nga e gjithë europa, në popullin më të varfër të europës ke sjellë kilometrin më të shtrenjtë të botës. Plot 25 milionë euro kilometri. E ke bërë vetëm ti, në Austri kolegët e tu e bëjnë me 14 milionë euro kilometrin”, tha Balliu.

Debati

Belinda Balluku: (Klevis Balliu flet nga vendi) Bukurosh kur të drejtohem ty atëherë mund të përgjigjesh, tani po flas me kolegun tim Noka. I dashur koleg, kur bën akuza, vëri emër akuzave, se as unë as kolegët e mi nuk ka qenë në Aruba. Edhe mund ti kishte rënë rruga për punë apo nuk e di konventa apo takime, por asnjëri s’ka qenë në Aruba. Nëse ke informacione, bën mirë mos hedhësh tym koshereve të bletës dhe të dilni para kamerave dhe s’dini çfarë flisni, vëri emra kush ka shkuar në Aruba.

Klevis Balliu: E para faleminderit për bukuroshin, por unë kështu kam lindur, kurse ty bukuroshe të bënë paratë e shqiptarëve. Ka një diferencë të madhe. Ti bën mirë këtu të flisje për Tigrin 1 dhe Tigrin 3. Do bëjë mirë të flisje se je e vetmja që nga e gjithë europa, në popullin më të varfër të europës ke sjellë kilometrin më të shtrenjtë të botës.

Plot 25 milionë euro kilometri. E ke bërë vetëm ti, në Austri kolegët e tu e bëjnë me 14 milionë euro kilometrin. Ti zonjë vjen këtu me popullin më të varfër me 40 mijë lekë ndihmë ekonomike dhe bën 25 milionë euro kilometrin dhe rrugët të shkatërrohen me një shi. Duhet të flasësh për këto. Për bukuroshët, gjej kohën tënde, jo këtu në Parlament.

Belinda Balluku: Ky filloi të besojë më të vërtetë që është bukurosh dhe kjo është më e keqja. D.m.th dhe pa qenë bukurosh çfarë nuk thoshte, tani me këtë epitetin do çmendet fare, por s’ka qenë do e pranojmë. Pyet Farihun dhe Jetën se andej nga fisi im jemi të bukur përgjithësisht. Nuk na është dashur asnjë lek.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb