Bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është mbushur me protestues që i janë bashkuar tubimit kundër projektit për ndërtimin e resortit turistik në zonën e mbrojtur të Zvërnecit.
Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, qytetarët kanë nisur marshimin drejt Kryeministrisë, duke mbajtur pankarta dhe duke brohoritur kundër projektit që, sipas tyre, cenon një nga pasuritë më të rëndësishme natyrore të vendit.
Në krye të kolonës së protestuesve ecin gra dhe fëmijë, në një mesazh simbolik për mbrojtjen e mjedisit dhe të ardhmes së brezave të rinj. Gjatë marshimit janë dëgjuar thirrje kundër qeverise, ndërsa pjesëmarrësit kanë kërkuar anulimin e projektit dhe mbrojtjen e zonës së Zvërnecit.
Prania e forcave të policisë ka qenë e shtuar përgjatë itinerarit të protestës. Protesta e sotme është e pesta radhazi dhe vjen në vijim të kundërshtimeve publike ndaj projektit të resortit turistik, për të cilin aktivistët dhe banorët pretendojnë se rrezikon ekosistemin dhe statusin e mbrojtur të zonës.
