Një grup të rinjsh janë mbledhur sot në qendër të qytetit të Bulqizës për të zhvilluar një protestë paqësore, pas humbjes tragjike të bashkëmoshatarit të tyre, Erjon Boba.

Me pankarta në duar dhe një heshtje simbolike, të rinjtë kërkuan më shumë siguri dhe vëmendje ndaj problemeve me të cilat përballet rinia sot.
“Të rinjtë duhet të ndihen të sigurt kudo,” tha një prej pjesëmarrësve, duke theksuar se protesta nuk është vetëm në nder të viktimës, por një thirrje për gjithë komunitetin.

Protestuesit kërkuan që institucionet të marrin masa më të forta për parandalimin e konflikteve, ofrimin e mbështetjes psikologjike dhe krijimin e hapësirave të sigurta ku të rinjtë mund të shprehen dhe të kërkojnë ndihmë.

Protesta u zhvillua qetësisht dhe u shndërrua në një thirrje të fuqishme për reflektim dhe ndryshim. Të rinjtë shprehën solidaritet me familjen e Erjon Bobës dhe apeluan që ngjarje të tilla të mos përsëriten më.

Edhe Barie Boba, e afërme e familjes së viktimës, dha një mesazh të qartë për rëndësinë e edukimit, kujdesit dhe parandalimit të ngjarjeve të tilla, si në rolin e edukatorit, ashtu edhe në atë të prindit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb