Një studim i ri ka dalë në një përfundim shpresëdhënës për vendin tonë, pasi konkludon se një rezervuar masiv hidrogjeni mund të fshihet thellë nën një minierë kromi në Shqipëri.

Sipas Live Sciencë, rezervuari ndodhet brenda një pjese të kores dhe mantelit të Tokës që dikur ishte fundi i oqeanit, por që midis 15-45 milion vite më parë formoi një brez shkëmbor 3,000 kilometra të gjatë, të njohur si një ofiolit, që shtrihet nga Turqia e sotme deri në Slloveni.

Ofiolitet ekzistojnë në mbarë botën dhe kërkimet kanë dokumentuar më parë rrjedhjen e gazit të hidrogjenit nga puset dhe minierat e shpuara në këto formacione.

Në studimin e raportuar në këtë revistë, një ekip gjeologësh mati gazin e hidrogjenit që flluskonte nëpër pishina të lëngshme në minierën e cila ndodhet rreth 40 kilometra në verilindje të Tiranës.

Ekipi pretendon se hidrogjeni është thuajse plotësisht i pastër

Gazi i hidrogjenit është pa ngjyrë, pa erë dhe jashtëzakonisht i ndezshëm. Shpesh është përdorur si burim karburanti.

“Hidrogjeni është një gaz shumë i ndezshëm. Përqendrimet e larta të matura brenda minierës së Bulqizës mendohet se kanë shkaktuar tre shpërthime që nga viti 2011, duke vrarë katër minatorë dhe duke plagosur shumë të tjerë”, raporton revista.

Kohët e fundit, hidrogjeni është konsideruar si një alternativë ndaj karburanteve me bazë karboni, sepse djegia e tij nuk prodhon asnjë gaz serrë dhe efekti në ambient është shumë i vogël.

Sipas studimit, deri në 55,000 ton hidrogjen mund të fshihen në rezervuarin nën minierë, një sasi e mjaftueshme për të siguruar burim të rrjedhshëm për rreth 238 vite në vijim.

Depozitat e hidrogjenit natyror janë një burim premtues i energjisë pa karbon nëse ato janë të aksesueshme dhe në sasi të mëdha.

“Ajo që e veçon zbulimin tonë është fluksi i madh i gazit pothuajse të pastër [hidrogjen] që kemi vëzhguar. Në kontekstin e tranzicionit të energjisë, gjetjet tona mund të ndikojnë ndjeshëm në kërkimin e vazhdueshëm për burime të reja energjetike,” shkruajnë autorët në studim.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: