Një histori e rëndë dhune dhe akuzash të ndërsjella mes një ish-çifti do të trajtohet ditën e sotme në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur”, në News24 me moderatoren dhe autoren Evis Ahmeti.

Sipas rrëfimit të gruas, marrëdhënia e tyre është shoqëruar për vite me radhë nga dhuna fizike dhe psikologjike, jo vetëm ndaj saj, por edhe ndaj fëmijëve.

Ajo pretendoi se është goditur vazhdimisht me sende të forta, madje edhe në prani të fëmijëve, të cilët, sipas saj, përjetonin frikë dhe ankth të vazhdueshëm.

Për të hedhur dritë mbi këtë histori të mbushur me tensione dhe akuza të forta, sot në studio kanë folur edhe prindërit e gruas, të cilët dhanë dëshminë e tyre për atë që pretendojnë se ka ndodhur në këtë familje.

Babai i vajzës ka hedhur akuza ndaj dhëndrit duke thënë se ndaj vajzës së tij është përdorur dhunë dhe fizike si edhe psikologjike.

“Mendova se kishin burrëri. Kur kemi dhënë fjalën kam marrë vesh nga njerëzit se ai kishte pasur dhe dy gra të tjera. Por ngaqë e kishim dhënë vajzën, fjalën nuk doja të shkaktoja më trazira. Ata u bënë prindër. Por më pas kanë vijuar edhe problemet. Shumë vonë, më pas kemi kuptuar edhe problemet e tyre”, ka thënë ai.

Më tej tregoi se sjelljet e dhëndrit ndaj vajzës kanë qenë të rënda duke thënë se ka qenë dhunuar.

“Ne kemi foto se çfarë ka bërë ai. Nëse ai ka pasur pakënaqësi ndaj vajzës time le t’i tregojë”, ka thënë ai.

Gjithashtu gruaja rrëfeu se ish-bashkëshorti e ka kërcënuar me vrasje në rast se do të bënte kallëzim në polici, duke i thënë se kishte ndikim për t’i shpëtuar drejtësisë.

Për këtë arsye, megjithëse kishte informuar prindërit e saj për situatën, ajo thotë se nuk guxoi për një kohë të gjatë të drejtohej tek autoritetet.

Në dëshminë e saj, vajza tregoi se ka tentuar të mbajë familjen të bashkuar dhe madje është kujdesur për vajzën e partnerit nga një martesë e mëparshme si për fëmijën e saj. Megjithatë, sipas saj, ish-bashkëshorti vazhdimisht ushqente armiqësi ndaj saj dhe e nxiste të bijën kundër saj.

Gruaja pretendon gjithashtu se dhuna është ushtruar edhe ndaj fëmijëve, duke i goditur, tërhequr nga flokët dhe në një moment konflikti, duke rrezikuar edhe jetën e djalit të tyre.

Nga ana tjetër, ish-bashkëshorti hedh poshtë këto akuza dhe ngre pretendime të tjera ndaj ish-partneres së tij.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: