Nga ENVER DOÇI*
MAT – Një ngjarje e rëndë ndodhi sot rreth orës 15:00 në fshatin Frankth të Matit, ku një 27-vjeçar u gjend i vdekur pranë banesës së tij. Viktima ishte Ervis Uka, 27 vjeç.
Mësohet se i riu ishte kthyer vetëm dy ditë më parë nga Greqia bashkë me vëllain e tij. Familjarët tregojnë se ai nuk kishte shfaqur shenja depresive dhe as probleme që mund ta shtynin në vetvrasje, megjithatë edhe kjo pistë ka mbetur e hapur për policinë e Burrelit. Ka qenë kjo të fundit që pasi ka gjetur trupin e pajetë të Ervisit, ka lajmëruar Policinë e Matit, e cila është nisur menjëherë drejt vendit të ngjarjes.
Burime nga policia lokale bënë të ditur se vdekja dyshohej të kishte ndodhur si pasojë e një plumbi të marrë në kokë, por nuk dhanë detaje.
Trupi i pajetë i 27-të vjeçarit u dërgua në morgun e spitalit të Burrelit ku iu nënshtrua ekspertizës mjekoligjore, nga e cila pritet të zbardhen disa pikëpyetje mbi mënyrën e vrasjes së të riut.
Mësohet se Uka ishte i pamartuar dhe se prej disa vitesh punonte në shtetin fqinj, në Greqi. Ndërkaq, policia e Matit shoqëroi familjarët e viktimës, duke i marrë në pyetje mbi ngjarjen në fjalë.
(ar.sh/BalkanWeb)
