Ditmir Bushati në podacastin e tij Public Square diskuton me Alberto Alemanno, profesor në shkollën prestigjoze të biznesit në Paris (HEC), ekspert i të drejtës dhe themelues i nismes “Good Lobby”. Bushati dhe Alemanno diskutojnën mbi tema të rëndësishme që nga pritshmëritë rreth zgjedhjeve për në Parlamentin Europian por edhe se si mund të bësh diferencën dhe ndryshimin në politikat publike përmes pjesëmarrjes, përmes atij që quhet “lobim i mirë”?

Apo si mund të mbledhësh së bashku një grup njerëzish, të cilët kanë vullnetin për të ndryshuar politikbërjen por edhe ekspertizën në nivel kombëtare apo edhe në nivel paneuropian?

Alemanno thotë se zgjedhjet për Parlamentin Europian konsiderohen nga qytetarët si zgjedhje të dorës së dytë, që do të thotë sipas tij, që nuk janë zgjedhjet më të rëndësishme në mendjet e tyre.

Ai shprehet se ato nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht preferencat politike të votuesve, duke shtuar se ka një pjesëmarrje të kufizuar të votuesve mes 45-50%.

Madje, Alemanno e konsideron si një proces paralel që ndodh njëkohësisht në 27 vende.

Ai thotë se PE dominohet nga disa grupe politike, ndërsa thekson se për herë të parë mund të ndodhë që grupimet politike të ekstremit të djathtë ose populistët të kenë një peshë të madhe.

Sipas tij, kjo mund të ndikojë në ndryshimin e agjendës, për shkak të dominacës që do të ketë në Parlamentin Europian. Ai shprehet se për herë të parë në PE mund të kemi një grupim të djathtësh, ndoshta të kryesuar nga Georgia Meloni, që mund të përcaktojë agjendat.

“Zgjedhjet europiane kanë qenë historikisht zgjedhje të dorës së dytë. Kjo do të thotë që nuk janë zgjedhjet më të rëndësishme në mendjet e qytetarëve, pasi nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht preferencat e tyre politike.

Pjesëmarrja është shumë e kufizuar, përafërsisht 45-50% që prej vitit 1976, kur qytetarët europianë patën mundësinë që të votonin për herë të parë.

Zgjedhjet e vitit 2024 do të jenë veçanërisht të rëndësishme, sepse do të përcaktojnë priotetet politike për Komisionin Europian, që defacto është ekzekutivi i BE-së.

Duket se këto prioritete po ndryshojnë duke u zhvendosur fokusi prej marrëveshjes së re të gjelbër në një agjendë që më shumë sesa e gjelbër do të jetë kafe: politikat industriale në fushën e mbrojtjes.

Duke qenë se zgjedhjet europiane nuk janë gjë tjetër veçse 27 zgjedhje paralele, pasi çdo vend vendos vetë për mënyrën e zgjedhjes së përfaqësuesve në Strasburg, nuk do të jetë e lehtë që të analizohen rezultatet e këtyre zgjedhjeve.

Është e qartë që presim një zhvendosje të madhe të lavjerrësit nga qendra e krahut të majtë, që është qendra e tanishme e gravitetit në PE drejt qendrës së krahut të djathtë, më konservatore, ku PE dominohet nga disa parti politike, grupe politike, të tilla si konservatorët të udhëhequr nga Giorgia Meloni, kryeministrja e Italisë, zoti Morawiecki në Poloni, por edhe nga partitë e identitetit dhe Demokracisë, nga njerëz si Marine Le Pen ose AfD në Gjermani.

Për herë të parë ata kanë një pozicion përcaktues me peshë në atë parlament.

Thënë shkurt, mund të presim një PE më të fragmentizuar ku partitë tradicionale kryesore, partitë popullore, socialistët dhe liberalët nuk do ta kenë domosdoshmërisht të mundur të kenë një shumicë parlamentare në mbështetje të Komisionit Europian.

Pra ka shumë pasiguri në këto zgjedhje”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb