TIRANË – Ministrat e Jashtëm të Shqipërisë dhe Kosovës, Ditmir Bushati dhe Hashim Thaçi, kanë vendosur sot në Tiranë, piketat e mbledhjes së ardhshme të përbashkët të dy qeverive, asaj të Shqipërisë dhe Kosovës në fund të marsit.

Ministri Bushati, në një dalje sëbashku me homologun e tij Thaçi para mediave, tha: “ Ne patëm mundësi të diskutonim dhe të bënim një bilanc të shpejtë të arritjeve dhe të përgatisim gjithashtu edhe një plan të shkurtër aktivitetesh në lidhje me mënyrën se si do t’i përqasemi mbledhjes së radhës, që do të jetë takimi i dytë mes dy qeverive tona.

Gjithashtu, patëm mundësi të diskutojmë me zotin Thaçi në lidhje me zhvillimet në rajon. Viti që sapo mbyllëm ishte, në gjykimin tonë, një vit i suksesshëm. Në këtë drejtim diskutuam në mënyrë më të hollësishme hapat që do të duhet të ndërmarrin Shqipëria dhe Kosova, nga Procesi i Berlinit në Konferencën e Vjenës.

Gjithashtu, zoti Thaçi na njohu me hapat që po ndërmerr qeveria e Kosovës në pritje të rifillimit të dialogut me Serbinë, i cili do të normalizojë marrëdhëniet ndërmjet këtyre dy shteteve dhe një përshpejtim të procesit të integrimit evropian.”

Z.Thaçi në fjalën e tij tha se “Kam besim se ky bashkëpunim mes dy qeverive tona do të vazhdojë. Ishim së bashku edhe dje në Paris në marshin e solidaritetit dhe unitetit në luftë kundër terrorizmit, për të cilën edhe Kosova edhe Shqipëria kanë treguar vendosmëri të fuqishme, duke dëshmuar orientimin e tyre euro-atlantik. Ndërsa sot, kemi diskutuar mbi hapat tona të mëtejshme në bashkëpunimin dypalësh. Shpresoj dhe besoj se për çka diskutuam konkretisht do të diskutojmë edhe me Kryeministrin Rama, që në pjesën e dytë të marsit të mbahet mbledhja tjetër e dy qeverive, e Shqipërisë dhe asaj të Kosovës, për të parë se deri ku kemi shkuar me zbatimin e atyre gjërave që jemi dakorduar në Prizren dhe natyrisht të marrim obligime të tjera të bashkëpunimit ndërinstitucional.

Gjithashtu, diskutuam sot edhe me Ministrin Bushati për nismat rajonale ku do të përfaqësohet dhe marrë pjesë Kosova, pavarësisht disa pengesave që kemi, por edhe për mundësitë e anëtarësimit të Kosovës në organizatat rajonale, evropiane e ato ndërkombëtare. Ndërsa, siç edhe dihet, deri tani Kosova është njohur nga 108 shtete, synimi ynë është që ta rrisim numrin e njohjeve. Kam besim të plotë se do të vazhdojë roli mjaft intensiv dhe dinamik i Ministrit Bushati dhe qeverisë shqiptare në mbështetje të axhendës së Kosovës”- nënvizoi ai.

thaci bushati

PYETJE NGA MEDIAT

Prania e delegacionit shqiptar dje në Paris u komentua në mënyra të ndryshme, nga disa u pa si një show. Në përbërje të delegacionit ishin 4 përfaqësues të komuniteteve fetare. A e ka Shqipëria bashkëjetesën fetare një vlerë që mund t’ia shesë Evropës?

Bushati: Faleminderit për pyetjen. Në radhë të parë do të doja të theksoja edhe njëherë tjetër qëndrimin e qeverisë shqiptare. Delegacioni shqiptar në Paris, si pjesa zyrtare e delegacionit, ashtu edhe klerikët, gazetarët, etj., kanë qenë jashtëzakonisht të mirëpritur nga autoritetet franceze, Presidenti francez, Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm, si një mesazh i qartë që vjen nga Shqipëria, një popull i përvuajtur në Ballkan në lidhje me nevojën për një bashkëjetesë, një harmoni më të mirë fetare. Këtu nuk bëhet fjalë për të eksportuar vlera, këtu bëhet fjalë për të dhënë një mesazh të qartë i cili është vënë në dukje nga papa Franҫesku gjatë vizitës së tij shtatorin e vitit të kaluar ku ai, besoj, jo pa arsye zgjodhi Tiranën si destinacionin e parë evropian të vizitës së tij, për të vënë në dukje pikërisht këtë meritë të madhe të popullit shqiptar, të cilën ne duhet ta mbështesim dhe ta stimulojmë me aq sa kemi mundësi.

Pyetje: Nisi sot një vizite tre ditore e Kryministrit serb Vuçiç në Kosovë. Çfarë pritet të sjelle kjo vizitë në marrëdhëniet Kosove – Serbi?

Thaҫi: Vizita e kryeministrit të Serbisë në Republikën e Kosovës bëhet me lejen e institucioneve të Republikës së Kosovës, pasi ka kërkuar leje. Kjo nuk është vizita e parë e as e fundit e ndonjë zyrtari të Serbisë në Republikën e Kosovës. Këto vizita po ndodhin pas dialogut që ka ndodhur në Bruksel dhe marrëveshjes së arritur në Bruksel dhe kjo vizitë po ndodh pas vizitave të ministrave të qeverisë së Republikës së Kosovës në Beograd, Ministrit të Drejtësisë, Ministrit të Jashtëm, Ministrit të Brendshëm. Këto janë vizita tashmë gati normale, të zakonshme të dy shteteve edhe pse jo të njohura reciprokisht. Është një vizitë e karakterit humanitar dhe fetar, do të përurohet një spital dhe do të vizitohet një kishë në Graçanicë. Mendoj se ne duhet të fokusohemi që ta rrisim dhe intensifikojmë komunikimin, vizitat e ndërsjella dhe në asnjë rrethanë të mos i frikësohemi komunikimit dhe vizitave, qoftë në Beograd, qoftë në Prishtinë.

Cili është synimi dhe pritshmëria juaj nga takimi trepalësh Serbi-Itali-Shqipëri, që do të mbahet në datën 23 janar në Romë dhe si do ta komentonit deklaratën e homologut tuaj serb se Bashkimi Evropian po sillet me dy standarde në raport me integrimin e vendeve të Ballkanit, konkretisht Shqipërisë dhe Serbisë, në qasjen e Brukselit ndaj këtyre vendeve?

Bushati: Besoj se ka deklarata të cilat duhen marrë më me qetësi dhe ka dhe deklarata që bëhen thjesht dhe vetëm për konsum te brendshme. Dje në Paris unë pata mundësinë që të takohesha dhe me homologun serb i cili, nga biseda, kuptova që mezi priste trilateralin e ofruar nga Italia. Besoj se politika e jashtme shqiptare, pavarësisht qëndrimeve mediatike që mund të vijnë nga homologe apo nga shtetet e tjera, do të mbetet e pandryshuar në nevojën për një bashkëpunim të mirë rajonal dhe për një raport më të normalizuar marrëdhëniesh ndërmjet Shqipërisë dhe Serbisë. Takimi trepalësh i organizuar nga Italia besoj se do t’i shërbejë pikërisht këtij qëllimi, duke pasur parasysh raportet që dy vendet tona kanë dhe raportet që dy vendet tona kanë jo thjesht ndaj Italisë por edhe ne rajon. Për sa i përket më pas qëndrimit të homologut serb në lidhje me standardet e dyfishta, që sipas tij BE-ja aplikon ndaj Shqipërisë dhe Serbisë, me lejoni të theksoj që është një aspirate mbarë popullore për ne anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Për pasojë, unë nuk do të kisha luksin që të komentoja për një aspiratë dhe vokacion kaq të madh që kanë shqiptarët.

(ar.sh/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb